Interpelanca me Ramën, Bardhi: Sa herë e thërrasim, ai nuk vjen

Kreu i Grupit të PD-së Gazment Bardhi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve është përplasur me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, për mos përfshirjen në draft-kalendar të kërkesës së opozitës për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për investigimin e RAI3.

Bardhi shprehet se sa herë Kuvendi ka kërkesa të tilla kryeministri shmanget duke u mjaftuar me një postimin në Twitter ose duke u fshehur pas Elisa Spiropalit.

“Nuk e kuptoj pse në draft-kalendar nuk është përfshirë kërkesa e grupit të PD, për interpelancë urgjente. Shpresoj të jetë gabim teknik pasi ndryshe do te ishte një shkelje e rëndë kushtetuese. Sa herë ka kerkesa të tilla kuvendi, shmanget dhe mjaftohet duke lexuar statuset e Kryeministrit në Twitter. Kerkoj të shtohet në Kalendar”, ka thënë Bardhi.

Nga ana tjetër Nikolla i përgjigjet duke thënë se objekti nuk ka lidhje me procedurën, ndaj nuk është futur në kalendar.

“ Shqetësimi që keni paraqitur ju në interpelancë, pra objekti nuk ka lidhje me procedurën që do duhet të thirret një interpelance. Prandaj dhe nuk përfshihet”, është shprehur Nikolla.

Ndërsa Bardhi është shprehur se në bazë të kushtetutës ai kërkon interpelancën me kryeministrin.

“ Une e kuptoj se ju recitoni dicka qe ju kanë shkruar. Në bazë të kushtetutës unë kërkoj që kryeministri të vijë dhe të japë sqarime për një ndërhyrje skandaloze që ka bërë si kryeministër ndaj një media ndërkombëtare”, është shprehur kreu i grupit parlamentar të PD-së.

Gjithashtu Bardhi i ka theksuar Nikollës së sa herë që opozita kërkon interpelancë me Ramën ato i dalin në mbrojtje duke shkelur kushtetutën.

Pas debatit me Nikollën Bardhi ka braktisur mbledhjen së bashku me deputetin Agron Gjekmarkaj, pasi kërkesa e tij nuk është miratuar.

SHKARKO APP