Intervista/ Bujar Alimani: Gjendja e kinematografisë shqiptare, çelsi i suksesit dhe “luku i ri”

 

1-“Delegacioni“, cili është mesazhi që keni dashur të përcillni për publikun? Pse filmi është filmuar nën hijen e një “ zymtësie”, hera-herës pa ngjyra?

Delegacioni është një film që përcjell rezistencën intelektuale ndaj regjimeve totalitare , madje edhe kur ato ndërrojnë “lëkurë” e përpiqen të duken më demokratike dhe humane. Ky mesazh përcillet në film e mendoj në kohët që kalojmë është tejet aktual. Periudha që kaloi Shqipëria në atë segment historik –flas për vjeshtën e vështirë të vitit 1990 ishte e zymtë, ishte e trishtë.. Ju kujtoj luhatjet e kreut të shtetit shqiptar, Ramiz Alisë, i cili njëherë e lëshonte “fillin” njëherë e tërhiqte. Në këtë kuptim filmi është në atë kuptim që ju e quani “të zymtë”, sepse një epoke të cilës askush nuk mund ti vinte as emrin as ngjyrën e saktë , ishte tërësisht ashtu.. e zymtë, pa shpresë e pa të ardhme. Koha e vërtetoi këtë.

2- Edhe pse keni fituar tre çmime të mëdha, pas pak muajsh do të merrni pjesë në festivalin e madh të filmit në Los Angeles. Cilat janë pritshmëritë e tua në këtë eveniment?

Pjesmarrja e filmit në South East Europian Film Festival në Los Angeles të SHBA-ve natyrisht është një lajm shumë i mirë dhe një vijueshmëri e rradhës së Festivaleve të cilët e kanë përfshire e çmuar filmin në muajt që kaluan. Filmi konkurron për tre çmime shumë të rëndësishme –Best Film, Best Cinematography dhe Best Audience Award. Të shohim si do shkojmë !

3- Mbyllja tragjike me vrasjen e personazhi që kish në dorë “fatin e vendit” dhe bilanci përmbyllës në fund, a ka lidhje edhe me realitetin e sotëm në Shqipëri?

Shpeshherë vdekja është më rëndësishme se jeta. Duket e çuditshme kjo që them por në disa kontekste e rrethana të caktuara vlera që një epoke, kombi apo një komuniteti shoqëror i bën pra sakrifica e njue njeriu, mund të kuptohet ajo que thashë mue sipër. Kohët ndryshojnë, por marrëdhëniet e njerezve mendoj se jo sidomos ato që kanë të bëjnë me individin dhe pushtetin.

4- Delegacioni është një filëm i cili është bërë me një buxhet “modest’ por arriti të korrë një sukses të jashtëzakonshëm. Cili ka qenë çelsi i suksesit?

Dashuria e verbër e tue gjitheve ne për kinematografinë. Filmi në vetvete tejkaloi çdo parashikim. U nis si një përmbushje e amanetit të regjisorit shqiptar që ndërroi jetë Artan Minarollit , por më pas u shndërrua në një vepër të mirëfilltë artistike e cila nuk kishte të bënte veç me përmbushjen e amanetit por shkoi shumë më tej. Nuk mendoj se ka çelës të suksesit , përveç fleksibilitetit të regjisorit për të kuptuar thellë skenarin dhe për të përcaktuar një formë po kaq elastike dhe të afërt me publikun. Gjëra qe duken në thelb të pazhurmshme , por që spektatori i vesh njësoj si një rrobë të mirë të cilën kurrë më parë nuk e ka vënë kaq shumë re. Me konkretisht – gjithë dhënia e filmit në tone të ngjyrës kafe të zbehtë , njësoj si një fotografi e asaj kohe që nuk është as bardhë e zi por as me ngjyra, pra nje kapërcyell, një afrim drejt ngjyrave reale. Kjo bie menjëherë në sy kur sheh filmin, një spektator i kultivuar e ndjen që në sekondat e para dhe “familjarizohet” menjëherë me ngjarjet e filmit dhe personazhet.

5- Z. Alimani sipas jush, në ç’gjendje ndodhet sot kinematografia shqiptare? Si e shikoni interesin dhe kontributin e Shtetit tonë lidhur me kinematografinë?

Ne kemi buxhetin më të vogël në rajon që shteti i jep kinematografisë. Në çdo herë e çdo qeverie i është kërkuar vazhdimisht kjo gjë. Para 6 vitesh buxheti i gjithë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për një vit shkoi në 500 000 euro. Kjo shumë është sa 1/3 e buxhetit të një filmi modest europian. Imagjinoni ku jemi. Imagjinoni si punojmë. Imagjinoni tek e fundit çfarë heronjsh jemi. Ndoshta heronj pa arsye për të qenë heronj. Shteti ynë nuk e llogarit kinematografinë. Vetëm se hymë në Kampionatin Europian, Shqipëria u tund nga festat. Ne jemi artistë. Luajmë me shpirt jo me këmbë. Dhe po ua thotë një njeri që perveç kinemasë , hobin tim të dytë kam futbollin, por një mosvemendje e politikës karshi kinematografisë është tragjike. Kur u përmendim buxhetin e ulët të qendrës së filmit e cila tani ka shkuar në një milione euro, por që sërish është shumë pak (Kosova e ka 4 milion, Maqedonia e Veriut 5 milion) politikanët tanë ose qeshin ose ngrejnë supet duke na konsideruar jashtëtokësore. Kjo është gjendja e cila natyrisht fillon nga politika. Nuk është e lehtë të fitosh në një Festival të Madh. Eshtë njësoj sikur ekipi ynë i Kombëtar i futbollit të sillte në Tiranë trofeun e Kupës së Europianit apo edhe më tej. Në 5 vitet e fundit megjithatë falë strategjisë së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë prodhimi i filmave shqiptarë është rritur ndjeshëm dhe këtu ka një pikëpyetje të madhe në lidhje me prodhimin dhe suportin. Eshtë ajo që në gjuhën popullore quhet nikoqirllëk dhe që prej saj priten të dalin talentet e reja. Jam shumë i bindur për këtë.

6- Si është komentuar interpretimi i aktorëve kryesore nga profesionistet e huaj? A mendoni se aktorët aktual në shqipëri, përfshirë dhe brezin e ri kanë kapacitetin e mjaftueshëm që në një të ardhme të jenë pjesë e “yjeve” të kinematografisë botërore?

Mendoj se ne kemi kapacitete të jashtëzakonshem në fushën e aktrimit. Nuk kanë për të pasur zili aktorë të kalibreve europiane sepse dhe ata janë të këtyre kalibreve. Aktorët tanë dalin nga shkolla e teatrit. Kjo ka të mirën e madhe se u jep stabilitetin e nevojshëm por duan pak punë për tu hequr teatralitetin të cilin natyrshëm e kanë. Por stabiliteti teatror është baza, kështu që mbi atë ndërtohen nivele të tjera të mjeshtërisë së aktorit, siç është përshtatja me natyrën e aktrimit para kamerës.

7- Drama dhe realiteti i hidhur, është një teme ku Ju e keni pasqyruar me një guxim të jashtëzakonshëm, kujtojmë këtu filmin “Gazi” por edhe te filmin “Vëthi i munguar”. Pse i jeni “kundërvënë” me kaq shumë kokëfortësi aktualitetit?

Unë nuk i jam kundërvënë asnjë realiteti sepse thjesht ai është përtej meje, përpara meje e herë-herë më tërheq dhe mua. Çështja ështe sa ti flet, ose e interpreton këtë realitet. Guximi është brenda natyrës time. Unë jam emigrant që nga 1992. I kam parë të gjitha nue jetën time, kam bërë çdo llojë pune, bëj çdo llojë pune. Një gjë i caktova vetes – të mos bëj gjera të zakonshme sepse ato i bëjnë të gjithë. Të kërkoj të jashtëzakonshme, të përpiqem të jem i vërtetë me veten dhe kinemane që bëj. Ndryshe ç’kuptim ka gjithë marrëzia e jetës time e ndarë mes punës së përditshme dhe mundimit prej Sizifi të bërjes së projekteve. Vetëm një kuptim ka –të jesh me filmat e tu përtej të zakonshmes. Këtë bëj .

8-Në Varshavë, pas shumë vitesh shohim një Bujar ndryshe nga ai “Bujari i thjesht” që jemi mësuar ndër vite. Në rrjetet sociale janë vërtitur me qindra batuta lidhur lukun e ri .. si është e vërteta ? Mund të dimë diçka më shumë?

Festivali i Varshavës është e vërtetë që nuk e di se në ç’mënyrë të çuditshme provokoi te une një ndjesi të mirë. Vendosa që ekzakt pas 20 vjetesh të vija kravatë. Unë nuk mbaj kravatë që prej vitit1998-të, por nuk e di se ç’me shtyu që për këtë Festival të ndryshoja. Madje edhe bashkshortja ime dhe vajza u habitën kur u thashë se përveç kostumit do vija dhe kravatë. Gjithsesi për rikthimin tim në Varshavë pas 24 orësh , kur më kërkuan me urgjencë për Ceremoninë e Çmimeve, Nëna ime më dha një kravatë të Tim Ati . Babai im nuk jeton më prej dhjetë vjetësh dhe kostumet e tij Nëna i ruan akoma .. mori një kravatë ngjyrë të kaltër e ma zgjati duke më thënë se ndoshta më sillte fat. Në gjithë fotografitë me Çmimin e Madh te Festivalit jam me atë kravatë. Ndoshta Im Atë prej diku kishte derguar ndonjë shenjë.. nuk e di…

9- Cili është projekti i radhës Z. Alimiani? Ç’mund të dimë më shumë?

Kam tre projekte që presin. “Premtimi i Luanes”, është një produksion gjerman i cili përfshin një staf profesionistësh nga me te mirët në Evropë , produksion, kamera, skenaografi , kostume etj, me një kaste gjithashtu të shkëlqyer aktorësh shqiptarë nga Shqipëria e Kosova. Projekt tjetër është një produksion independent amerikan. Dhe i treti pak me tutje në kohë është një skenar mbeshtetur në motivet e romanit “Dragoi i fildishtë”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Fatos Kongoli , i cili gjeografikisht shtrihet në Shqipëri, Evropën Perëndimore dhe në Kinë. 10- Në Shqipëri janë me dhjetra studentë që diplomohen çdo vit për Aktrim dhe Regjizurë , cfarë mesazhi do donit ti përcillnit këtij brezi të ri artistësh? Të shohin përreth. Të shprehin ç’ka shohin përreth e ta sjellin artistikisht në skenë dhe ekran. Ti besojnë vetvetes dhe të vërtetës.

11- Qendra Kombëtare e Kinematografisë pret zgjedhjen e Kryetarit të ri të saj. Ju jeni shprehur hapur për mbeshtetjen e njërit prej tyre. Diçka më shumë?

Kam qenë shumë i qartë në qëndrimin tim përsa i përket kandidaturës së Ilir Butkës i cili sipas meje do duhet të vazhdojë të udhëheqë QKK. Vazhdoj të kem të njëjtin qëndrim dhe kjo e bazuar në punën që ai ka bërë. Termat që i janë veshur, të tipit “babaxhan”, veçse e fyejnë një intelektual i cili i ka dhënë shumë kinematografisë së një vendi. Ne shohim shumë afër e duhet të mësohemi të shohim larg. Asnjë film në Shqipëri nuk është bërë i dobët sepse nuk ka patur buxhet të mjaftueshëm, janë sakrifikuar xhepat e njerzve të cilët natyrisht do duhet të paguheshin më mirë, por më siper ju shpjegova pak a shumë gjendjen financiare të Institucionit që mbeshtet kinemanë kombëtare. Nuk ka faj zoti Butka për cilesinë e filmave të cilët lënë për të dëshiruar , por regjisorët, krijuesit e tyre.

Nuk mund të ketë nje institucion në botë i cili kaq lehtësisht, po jua theksoj “KAQ TMERRESISHT LEHTESISHT” të njofton se shumat e aprovuara në kohë rekord janë depozituar në llogaritë e shtëpive të produksionit për realizimin e filmave. Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka treguar një shembull të jashtëzakonshëm bashkëpunimi më të gjithë ne puer mbarëvajtjen e produksioneve. Le ti japim Çezarit çfarë i takon Çezarit. Le të ulim kokën e të vështrojmë çfarë ne nuk kemi bërë mirë në filmat tanë, ku është ajo që ju thoni “ çelësi i suksesit”. Dhe çelësi i suksesit më besoni nuk gjendet e ska për tu gjendur asnjëherë në buxhetet e limituara. Çelësi i suksesit gjendet në talentin dhe guximin e autorit për të bërë ëndrrën realitet me çdo lloj kostoje.

Intervistoi Orest Çipa, Nju Jork

SHKARKO APP