Investigimi i të përditshmes franceze/ “Gangrena e mafies shqiptare”

Siçiliane, napolitane, kalabreze… nuk janë vetëm emra picash, por edhe rrënjë të mafias. Cosa Nostra, Camorra apo N’Drangheta vërshuan nga Corleone në Nju Jork, nga Napoli në rivierën franceze, nga Regio Calabria në Londër.

Por ka gjithashtu edhe “Anonima sequestri”, specialistë të rrëmbimeve në Sardenjë; kartele meksikane ose kolumbiane që interesohen për importin dhe eksportin e kokainës; fiset afgane dhe fushat e tyre të opiumit ose ato të Marokut që prodhojnë kanabis. Emrat e rinj në Evropë janë mafia nigeriane dhe sidomos ajo shqiptare.

Që nga vdekja e Enver Hoxhës, shpërbërjes së Jugosllavisë dhe rënies së sistemit bankar pas “Piramidave”, shumë shqiptarë (përfshirë edhe kosovarë) emigruan në Britani, Gjermani, Zvicër dhe Francë. Bashkë me zakonet mesjetare eksportuan edhe krimin e tyre të organizuar. Perëndimi sheh “pasurinë dhe kulturën” e tyre, siç thotë edhe për emigrantët e çmendur.

Në zonën e Gjenevës dhe periferinë e saj franceze (Pays de Gex dhe Haute Savoie) janë shumë të shqetësuar për ndikimin e këtij komuniteti në trafikimin e heroinës dhe kokainës. Investigimi është bërë nga Mathieu Gaillac dhe Cedric Perrier që punojnë në “Le Messager”, gazetën e Gjenevës franceze që shet çdo ditë jo më pak se 25 mijë kopje.

Edicioni i fundit guxoi të dalë me titullin: “Mafia shqiptare, gangrena e Gjenevës”. Duket se e ka demonstruar këtë me të dhëna konkrete se si mafia shqiptare përfiton nga boshllëqet ligjore franceze dhe milionat e ardhura nga droga t’i investojnë në pasuri të patundshme.

“Shqiptarët janë të parët në listën e azilkërkuesve në Francë, edhe pse ata nuk i plotësojnë kriteret për t’u kualifikuar për këtë status”, – thotë prokurori i Thonon-les-Bains, Philippe Toccanier duke shtuar: “Përpunimi i aplikimit të tyre zgjat 1 deri në 2 muaj kohë kur marrin disa qindra euro në muaj si pagesë”.

Trafikantët kanë makina të fuqishme dhe të shtrenjta, por ndryshe nga modeli “ec shpejt” ata “lëvizin ngadalë” duke zbatuar me përpikëri rregullat e qarkullimit. Në timon mbajnë nëna me fëmijë të cilat fshehin diku paratë e drogës të mbledhura në Zvicër apo Austri për t’i çatdhesuar më pas në Shqipëri. Po shqiptarët kanë edhe zakonet e tyre të dhunshme (Kanuni apo Kodi i nderit, gjakmarrja, lidhjet e gjakut, kodi i heshtjes) me të cilat morën monopolin e trafikut të kokainës dhe heroinës të tërhequr nga një lumë fitimesh.

“Në vitin 2017, 60 shqiptarë (kosovarë dhe shqiptarë) janë dënuar për trafik droge, kryesisht në Gjenevë […] Është shumë e komplikuar për të gjetur një “shef” – thotë prokurori që shton: “Sapo ndalohet një shpërndarës i vogël, nuk flet. Është i gatshëm të bëjë 1 ose 2 vjet burg. Nëse flet, familja e tij në Shqipëri do të ketë presione të forta”. A duhet të kenë frikë nga drejtësia franceze? Kështu është rasti i dy trafikantëve shqiptarë të kapur me 250 mijë euro.

“I pari ishte një profesor historie dhe gjeografie në Shqipëri. Në Francë, kërkesa e tij për azil ishte refuzuar. I dyti, një 39-vjeçar mohon gjithçka për lidhje me trafik droge. Në anën tjetër ai ka probleme me drejtësinë italiane. Iu mohua azili? Për ta nuk ka problem. Do të rrinë në Francë apo në ndonjë vend tjetër evropian duke vegjetuar apo duke gjetur “një mënyrë” për të mbijetuar. Një tjetër shqiptar u kap ndërsa shiste 10 doza me një çmim 100 euro për 5 gram heroinë. Dënimi është 18 muaj, nga të cilat 9 i janë pezulluar, pa asnjë obligim për tu larguar nga vendi. Nuk ka asnjëherë problem zëvendësimi për ta. Sapo nojë rrjet shpërbëhet një tjetër merr drejtimin.
Në Francë, shqiptarët janë të parët në kërkesat për azil, ndërkohë që në vendin e tyre nuk ekziston asnjë regjim diktatorial apo luftë e përgjakshme.

Kur ne e dimë se 51% e PBB-së në Shqipëri vjen nga trafiqet e ndryshme, duke përfshirë edhe drogën. Shqipëria është bërë prodhuesi më i madh i kanabisit në Evropë. Monopoli i kokainës në Rhône-Alpes është mbajtur nga kjo mafie vetëm për 2-3 vjet. Mafiozët shqiptarë dhe kosovarë po sfidojnë kufijtë për të krijuar rrjete që shesin drogë, prostitucion ose kontrabandë të armëve të luftës. Të paskrupullt, pa mëshirë dhe të dhunshëm. Dhuna përshkruhet edhe në filmin “Taken”, ku Liam Neeson përballet mafian shqiptare e specializuar në trafikimin e femrave.

Kriminologu Xavier Raufer bën një përmbledhje të përsosur në librin e tij “Mafia shqiptare. Një rrezik për Evropën”.

“Të gjitha vendet kanë një “pjesë” kriminale. Janë të paktë ata që kanë “mafia” të vërtetë dhe me rite, shoqëri sekrete, kod heshtjeje dhe të ndarë në klane. Nëse e dimë tani si funksionon Cosa Nostra siçiliane, Triadat kineze dhe Yakuza japoneze, duhet të njohim këtë të renë dhe të rrezikshmen mafia shqiptare. Ajo lëviz në fortesën e saj, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe kudo në Europë, madje deri në Amerikën e Jugut. Gjithsesi. Mafia shqiptare kontrollon më shumë se 70% të tregut të heroinës në Zvicër, Austri, Gjermani dhe vendet skandinave. Në Francë problemi është ende në fazën embrionale, por rritja është e dukshme. Mafia shqiptare është e frikshme për egërsinë e saj, hakmarrjen e saj të pamëshirshme; deri në atë pikë saqë frymëzon dhe gëzon respekt të madh te familjet mafioze të Sicilisë. Një mafie që pothuajse do të bëjë të na vijë keq për Kumbarët e dikurshëm” – thuhet në libër. ©përshtati Lapsi.al

SHKARKO APP