Investigimi për zhvendosjen e adresave, Brahim Shima i përgjigjet Sandër Lleshajt: Politikanët ndërrohen, media mbetet
Prej dy ditësh emisioni investigativ “BOOM” solli me prova e dëshmi zhvendosjen që u është bërë qytetarëve në njësi të ndryshme pa dijeninë e tyre.
Një denoncim i tillë ka sjellë reagimin e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshajt me një gjuhë sulmi të ashpër duke na etiketuar si “media që nuk mban marrëdhënie me të vërtetën, trillim, teknologji mashtrimi”
I ftuar në studion e Ora News drejtori i Informacionit Brahim Shima u shpreh se gjithkush ka lirinë e vet të flasë e mendojë si të dojë por kjo nuk është një gjuhë me të cilën duhet të flasë një ministër e Brendshëm i cili ka si qëllim sigurinë e shqiptarëve.
Brahim Shima: “Ministri akuzon median me një sulm të paparë. Në mendimin tim një institucion shtetëror nuk duhet ta shohë median si armike por në momentin kur media ofron një zhvillim duhet të marrë masa ta korrigjojë. Nuk duhet ta shohë se media si qëllim që kërkon ta rrëzojë nga detyra. Media shtron problemin, e bën publike sepse këtë detyrë kemi. Nëse ministri do që kjo detyrë e medias të mos jetë është koncepti i ministrit.
Por cfarë ka ndodhur që ka sjellë dhe reagimin e ministrit pa përmendur emrin e televizionit RTV Ora dhe as të emisionit investigativ?
Prej dy ditësh emisioni BOOM ka paraqitur disa raste kur janë zhvendosur vendbanimet e qytetarëve.
Brahim Shima: “ Problemi qëndron. Zhvendosjet janë bërë pa u dhënë asnjë shpjegim. Ministri thotë është gënjeshtër, por nga ana tjetër pranon se ka lëvizje por thotë se këto kanë ardhur si pasojë e një censusi. Nuk e di ku është baza ligjore që lëvizet për shkak të një cencusi. Pikëpyetja ime është pse janë lëvizur dhe kush e ka bërë lëvizjen? Meqë ministri e pranon pse nuk janë njoftuar qytetarët dhe pse ministri i vërsulet një medieje? Ka një arsye? Ministri preferon një medie që do të thotë të duartrokasim se jemi në fund të botës dhe gjithcka po ecën mrekullisht mirë?! Titullarët e një vendi duhet të jenë seriozë filozofirat nuk janë për të drejtuar shtetin. Në shtet duhet të jesh i përgjegjshëm dhe të rregullosh cdo problematikë që del dhe jo të ironizosh median.
Por pse po sulmohet?
Brahim Shima:“Zgjidhet të sulmohet media për të ngritur një tymnajë që media ia fut kot. Nuk di një institucion të ketë ardhur e të thotë ky lajm është i gabuar dhe duhet ndrequr. Ministri jo ti sulet medias por të marrë dhe të shpjegojë problematikën, të zgjidhë dhe më pas të dalë e të thotë media gënjen apo jo.
Ministri iu vërsul medias sikur është armiku në këtë vend dhe po pengon zhvillimin ekonomisë në vend, po a tregon kjo një klimë të nxehtë parazgjedhore?
“Unë nuk kandidoj, as Ora News, as Rtv Ora. Kandidojnë partitë. Ne bëjmë detyrën dhe debati politik është një pjesë shumë e vogël e punës tonë. Ky është një tension politik mes atyre që duan të vjnë në pushtet. Ne merremi me problematikën dhe kjo ishte një nga këto. Çfarë i kushtojnë të pranojnë dhe korigjojnë.
Qëllimi I pushtetit është të ulë sa më shumë zërat kritikë, edhe ata që janë t’i bëjë të pabesueshme përmes propagandës dhe pushtetit që kanë. Ajo që vihet re është se pasi ka dalë problematika në televizion, sapo shkojmë tek njësia e rregullojnë.”
Në deklaratën e sotme ministri e quajti RTV Ora si “media e platformave mediatike nën dyshim publik”
Brahim Shima: Si guxon të thotë ministri: “platformave mediatike nën dyshim publik”. Cili nga gazetarët është me dyshim publik. Unë di që punoj me njerëz me integritet, flas për gazetarët. Nëse ministri tenton të përziejë çështjen e drejtësisë që ne ia kemi lënë drejtësisë me rastin e presidentit tonë, dhe nuk jemi marrë atëherë deduksioni është që qëllimi i ministrit është media. Nuk besoj se bëj tautologji por nuk pranoj që dikush hedh hije dyshimi mbi personalitetin tim publik.
Kritik, Shima kujtoi se një ministër nuk mund të ngrejë tymnaja por të jetë seriozë.
“Ministri që tenton të bëjë gjithëpërfshirjen duhet të sqarojë me kë e ka. Duhet të jetë seriozë kur flet edhe për statitiskat e krimit, duhet të jetë seriozë dhe të ketë shumë kujdes kur flet për mediet. Nuk jemi ne që themi është përkeqësuar situata e medias.
Si ndikon një gjuhë e fortë e ekzekutivit ndaj medias?
Brahim Shima: “Gazetaria nuk është punë është profesion. Ata që mendojnë se me këtë profesion do të ndihen të përkëdhelur nga gjithkush kanë zgjedhur një rrugë të gabuar. Një gazetar I mirë sa më shumë tensione të ketë aq më rezistent bëhet. Asnjë pushtet nuk do një media e lirë përkundrazi zhvillon mekanizma për tëbllokuar por rritja e toneve të pushtetit ndaj gazetarëve sjell humbje të pushtetit dhe jo medias, përkundrazi sjell forcim të medias. Tek një gazetar i ri sjell autocensurë por me kalimin e viteve ato bëhen edhe më të fortë. Politikanët ndërrohen, media mbetet”