Investim i domosdoshëm në fshatin Valas, kryebashkiaku Llatja: Rrugë e re për banorët dhe zhvillimin e zonës

Një investim i mirëpritur dhe i domosdoshëm në fshatin Valas, ku banorët, përfshirë ata të një pjese të lagjes Lugaj, përfitojnë nga ndërtimi i një rruge të re, që shërben për rreth 600 familje. Ky projekt ka lehtësuar qarkullimin e mjeteve, nxënësve të shkollave dhe fermerëve të zonës, duke kontribuar në zhvillimin e aktivitetit ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili ishte i pranishëm gjatë inspektimit të kësaj rruge, shprehu mirënjohjen për banorët dhe theksoi rëndësinë e këtij investimi.

“Ne po realizojmë investime të shumta dhe të rëndësishme për përmirësimin e kushteve të jetesës. Kjo rrugë 450 metra e gjatë është një nga investimet më të rëndësishme për 600 banorët e Valas dhe lagjes Lugaj. Ajo përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetesës dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës. Edhe pse një fshat në buzë të rrugës nacionale asnjëherë me rrugë. Ky është vetëm fillimi, pasi do të vazhdojmë me investime të tjera në këtë njësinë administrative dhe në shumë njësi dhe fshatra të tjera”, tha Llatja.

Llatja shtoi se punët për përmirësimin e infrastrukturës nuk do të ndalojnë, dhe se Bashkia Elbasan do të vazhdojë të investojë në projekte të tilla, duke siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësime të vazhdueshme për qytetarët.

“Bashkia Elbasan është gjithmonë në punë për qytetarët e saj, duke zbatuar ligjet dhe rregullat, dhe duke realizuar projekte që tashmë po bëhen realitet. Puna jonë nuk ka ndaluar dhe nuk do të ndalojë, sepse ne jemi të angazhuar për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve tanë”, shtoi më tej Llatja.

Ky investim është pjesë e angazhimit për përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale, duke garantuar kushte më të mira për të gjithë banorët.

SHKARKO APP