Investimet, Denaj: Në 2018 u hapën 742 kompani në fushën e teknologjisë

Nën drejtimin e ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, është zhvilluar mbledhja e Këshillit të Investimeve, ku kanë qenë në fokus pikërisht bizneset e huaja. Denaj ka theksuar në takim se me rregullimet e bëra në legjislacionin e investimeve, shteti synon të sjellë një klimë më të favorshme si për investimet vendase dhe të huaja, duke dhënë një efekt pozitiv në ekonominë evendit.

”Përmirësimi i legjislacionit në fushën e investimeve përmes Ligjit të Unifikuar të Investimeve, do të sjellë një klimë më të favorshme si për investimet vendase dhe të huaja, duke dhënë një efekt pozitiv në ekonominë e vendit dhe kryesisht në, rrjedhën e kapitalit shtesë, transferim teknik dhe menaxherial të dijeve, krijim të vendeve të reja të punës duke përfshirë edhe rritje të kualifikimit profesional”.

Ministrja është shprehur se politikat fiskale të ndërmarra nga qeveria janë përqendruar pikërisht në nxitjen e investimeve, më së shumti në sektorin e Teknologjisë dhe Inovacionit, në bujqësi dhe sektorin e turizmit. Sipas Denaj janë hapur 742 kompani të reja në fushën e IT. Përsa i përket masave fiskale në nxitjen e investimeve në teknologji, legjislacioni shqiptar përfshin përjashtimet nga TVSH në furnizimin me makineri dhe pajisje bujqësore, makineri përpunim aktiv dhe agro-biznes.

Qeveria ka incentivuar edhe sektorin e Teknologjisë dhe Inovacionit, duke ulur tatim fitimin nga 15% në 5% për kompanitë që ushtrojnë aktivitet në sektorin e prodhimit/zhvillimit të software. Sipas INSTAT, gjatë vitit 2018 në vend janë krijuar 742 kompani të reja në fushën e Informacionit dhe Komunikimit, kryesisht kompani të vogla deri në 9 punëtorë. Ndër të tjera ajo ka theksuar se shteti do të vazhdojë të përparojë reformat e ndërmarra, duke synuar të mbajë rritjen ekonomike prej 4%, të rrisë punësimin si dhe të vazhdojë ulja e nivelit të papunësisë.

SHKARKO APP