Investimet e reja në Kuçovë
Një numër i madh investimesh në infrastrukturë, shëndetësi, arsim po kryhen këtë vit në Kuçovë, qytetin e naftëtarëve. Prej më shumë se një muaj kanë përfunduar punimet e ndërtimit të rrugës në lagjen Nr.1, Blloku “11 Janari”, etj. Ky investim përfshin rehabilitimin dhe zhvillimin e lagjes më të vjetër të Kuçovës, e cila njihet dhe si lagja e grevës, ku nëpërmjet rikualifikimit të tre rrugëve së bashku, rrugës “Isa Boletini”, rruga “Toli Shuko” dhe rruga “Koço Koleci” me një gjatësi totale prej 2 km. Këto rrugë ndodheshin në gjendje teje të amortizuara pasi nuk ishte kryer asnjë investim. Si rrjedhojë kjo ka ndikuar negativisht në zhvillimin urban të gjithë zonës. Prandaj rikualifikimi urban i kësaj rruge do t’i japë një zhvillim një zone prej më shumë se 8 800 banorë dhe do t’ju vijë në ndihmë më shumë se 1290 familjeve. Në këtë projekt përfshihen, sistemim/asfaltim i rrugës, ndërtimi i trotuareve në të dyja anët e rrugës, ndriçim/gjelbërimi, sistemim i ujërave të shiut dhe sistemim i ujërave të zeza. Ky investim i cili realizohet nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve kap shifrën 147 336 682 lekë me TVSH dhe Bashkia Kuçovë merr përsipër koston për mirëmbajtjen e projektit mbas implementimit të tij. Punimet u realizuan nga kompania “Besta” sh.p.k dhe zgjatën 12 muaj. Rruga ka gjelbërim të ri, ndriçim dhe sinjalistikë tërësisht të re. Deputetja e qytetit Kuçovës Ermonela Felaj u shpreh se së shpejti do të fillojnë ndërtimi i spitalit të ri të qytetit, i cili do të shërbej si një spital modern për gjithë zonën. Deputetja Felaj tha se janë marrë masat që spitali të jetë i kompletuar më të gjithë mjekët e duhur për një shërbim sa më të plotë. Zyrtarë të Bashkisë thonë se së shpejti do të fillojnë punimet për ndërtimin e shëtitores në qendër të qytetit e cila është 500 metra e gjatë dhe 12 metra e gjerë. Gjithashtu, fondi për restaurimin e gjimnazit të qytetit, shkolla “18 tetori” në lagjen “11 janari” pritet të kryejë rikonstruksionin e ambienteve të arsimore. Ndërkohë ka përfunduar restaurimi i shkollës 9 vjeçare “28 nëndori’’, shkollë “Gaqi Karakashi”, si dhe janë restauruar shkallët e pikës turistike. Veç investimeve që po sjellin rilindjen e qytetit të harruar nga qeveritë e mëparshme të Kuçovës, shumë shpejt pritet dhe një zhvillim i rëndësishëm social për banorët. Deputetja e PS tha se janë certifikuar 400 naftëtarët e parë në këtë qytet që përfitojnë status.
KOHA JONË SONDAZH

