Investimet, “thesi” zgjidhet në fundvit – Në 10 muaj është realizuar vetëm gjysma e buxhetit

Në 10 muaj të vitit, qeveria ka realizuar vetëm gjysmën e investimeve publike të parashikuara me buxhetin e viti 2019, ndërsa gjysma tjetër është lënë të disbursohet në dy muajt e mbetur Nëntor-Dhjetor. Të dhënat fiskale të Ministrisë së Financave, tregojnë se praktika e një viti më parë, vijon të ndiqet sërish, duke bërë që afro 40.5 miliardë lekë të mbeten për tu shpenzuar vetëm në dy muaj, gjë që, jo vetëm nuk është e shëndetshme për ekonominë,  por lë hapësirë edhe për abuzime.

Po ashtu, mund të ndodhë që një pjesë e buxhetit që shkon për shpenzime kapitale, të mbetet e pa përdorur. Kështu, për periudhën Janar-Tetor 2019, kanë shkuar për investime 47 miliardë lekë, apo 54 për qind e buxhetit të  planifikuar. Ndërkohë që krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë, regjistrohen në 3 miliardë lekë më pak.  Shkak për ecurinë e dobët të investimeve, mund të jetë zhvillimi i zgjedhjeve lokale por edhe mos avancimi sipas parashikimeve i projekteve infrastrukturore.

Në total, gjatë 2019-ës janë parashikuar që të shkojnë për investime, ku përfshihen punët publike, si ndërtimi apo rikonstruksioni i akseve rrugore, mirëmbajta, ndërhyrja në qendrat e qyteteve apo të tjera të kësaj natyre,  rreth 87.5 miliardë lekë.  Ndërkaq, sipas buxhetit faktik 2018, 8 miliardë lekë mbetën të pashpërndara për shkak të ecurisë së dobët. /Scan

SHKARKO APP