Inxhinierët e Teatrit në Prokurori, firmosën akt-ekspertizën për shembjen pa verifikuar godinën

Prokuroria e Tiranës ka firmosur tri fletë-thirrjet e para në lidhje me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Tre inxhinierët Olsi Nunaj, Artur Hasantare dhe Elbarina Kola do të paraqiten në Prokurori të hënën për të dhënë shpjegime në lidhje me akt ekspertizën që ishte pro shembjes.

Sipas kallëzimit që u bë shkak për nisjen e hetimeve, ata kanë firmosur shembjen edhe pse nuk kanë qenë asnjëherë në objekt për të verifikuar gjendjen e tij.

Prokuroria e Tiranës ka thirrur për të marrë në pyetje të hënën tre inxhinierët që u kallëzuan nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit për “shpërdorim detyre” në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Mësohet se 3 inxhinierët Olsi Nunaj, Artur Hasantare dhe Elbarina Kola do të paraqiten në prokurori ne fillim të javës, për t’u pyetur si persona që kanë dijeni pas kallëzimit të bërë nga artistët dhe aktivistët.

Kallëzuesit pretenduan se tre inxhinierët, të cilët hartuan akt-ekspertizën për prishjen e Teatrit Kombëtar e kanë bërë me dokumente të falsifikuara.

Ata pretendojnë se tre nga pesë inxhinierët, të cilët kanë hartuar aktin, nuk kanë qenë asnjëherë në Teatër për të kontrolluar nga afër gjendjen e objektit.

Kallëzuesit pretendojnë se vepra është kryer me dashje, pasi të tre këta shtetas kanë qenë të vetëdijshëm që ekspertimi i tyre është bërë fiktiv, i pabazuar në verifikime konkrete të gjendjes së Teatrit Kombëtar dhe me vetëdije ata shprehen në ekspertim se

“Kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar” nga ana statike nuk janë të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve, ato janë jashtë normave të projektimit dhe shfrytëzimit të një objekti të kësaj kategorie”, duke i nisur këshilltarëve të Bashkisë Tiranë një ekspertizë të pavërtetë dhe të pabazuar në verifikimet në terren. Ekspertët kanë marrë atribute që nuk i takojnë me ligj duke çuar Këshillin Bashkiak në një vendimmarrje të gabuar.

Burimi: Ora News

SHKARKO APP