Irfan Hysenbelliu, aksioner kryesor i Birrës Tirana: Do mbizotërojmë mbi 60% të tregut, kryeqyteti do ketë festën e birrës
“Birra Tirana” bëhet pjesë e familjes së madhe ‘Hysenbelliu Group”. Presidenti i grupit, zoti Irfan Hysenbelliu është tashmë aksioneri kryesor i birrës Tirana me kuotat më të mëdha të aksioneve. Ky është një rikthim, pasi zoti Hysenbelliu ka qenë iniciatori kryesor i bashkimit të 10 aksionerëve në vitin 2001, kur “Birra Tirana” u privatizua, kohë kur filloi edhe shkëlqimi i saj. “Birra Tirana” është kompania më e madhe e prodhimit dhe tregtimit të birrës në vendin tonë, dhe që prej vitit 1960 ajo është ikona e industrisë ushqimore dhe mbretëresha e kryeqytetit shqiptar. Pas vitit 2002 ,”Birra Tirana” nisi të eksportohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Angli, Kosovë Greqi dhe Zvicër duke kapërcyer kufijtë shqiptarë.
“Birra Tirana” është padyshim lider në treg. E ardhmja me shijen dhe identitetin e saj si “kartëvizita” e kryeqytetit, është edhe më premtuese. Zoti Hysenbelliu është rikthyer te ‘Birra Tirana’ me ide të qarta për t’i shtuar asaj shkëlqimin dhe suksesin. Në takimin me stafin drejtues dhe aksionerët e tjerë, z.Irfan Hysenbelliu paraqiti vizionin e tij për ardhmërinë e ‘Birrës Tirana’.
“Në çdo vend të Botës birra e kryeqytetit është birra më e suksesshme. Birra e Tirana do të ketë sukses, do të jetë model në treg. Atë ëndërr që kisha do ta realizojmë tani”,- tha ai
Investimi i ri me ndërtimin e fabrikës së re që do të ketë teknologji edhe më moderne, së bashku me restorantin do ta pasurojë historinë e ‘Birrës Tirana’. “Do të bëhet një punë e madhe brenda këtij viti, me rikonstruksionin e teknologjisë dhe përmirësimin akoma më shumë të cilësisë brenda një muaji. Përpjekja jonë do të jetë që ne të shkojmë mbi 60% të tregut dhe kjo është e sigurtë”,- tha Hysenbelliu.
Kryeqyteti në muajin korrik do të ketë për herë të parë ‘Festën e Birrës’. “Qytetit të Tiranës do i kthejmë festën, në muajin korrik do jetë Festa e Birrës në Tiranë dhe do jetë një nga festat më të mëdha. Kryeqyteti gjithmonë ka popullatën më të madhe, konsumin më të madh”,- deklaroi Hysenbelliu.
Luan Bregasi që deri më sot ka qenë drejtori i përgjithshëm te ‘Birrës Tirana’, u shpreh se zoti Hysenbelliu rikthehet në shtëpinë e tij me më shumë eksperiencë dhe me më shumë frymë bashkëpunimi dhe solidariteti.
“Ardhja juaj na bën besimplotë për të ecur së bashku në një rrugë më të sigurt. Jam i bindur që me ardhjen tuaj, të gjithë punëtorët dhe aksionerët do ta përkthejnë me më shumë besim për të ardhmen e ‘Birrës Tirana’, më shumë siguri, më shumë cilësi, më shumë sukses dhe më shumë konkurrencë!”,- tha Luan Bregasi.
Kjo ngjarje e rëndësishme për ‘Birrën Tirana’ u kremtua me një festë të organizuar për stafin e fabrikës. Festës se organizuar iu bashkua edhe zëvendës Presidenti i “Hysenbelliu Group”, zoti Fatmir Hysenbelliu.