Irini Qirjako: Mungesa e kritikës, fatkeqësia më e madhe e artit

Irini Qirjako, këngëtarja e famshme e muzikës polifonike labe, është treguar e ashpër e kritike me brezin e ri të këngëtarëve të cilët bëjnë këngë, por që në fakt nuk janë të talentuar. E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” këngëtarja tha se vitet e komunizmit megjithëse kanë qenë të vështira në disa drejtime, kanë ofruar një profesionalizëm në art.

“Ato kohë kanë qenë shumë të vështira në shumë drejtime, por në drejtim të artit, sidomos për mua që isha këngëtare, veç politizimit që mund të kishin disa materiale, puna ka qenë profesionale e jashtëzakonshme. Aty kaloje në filtra në kontrolle, një herë në 2 vjet ne kalonim në testim profesional. Nëse dikush ishte i paaftë apo kalonte diçka një fatkeqësi ose diçka tjetër, e kalonin në punë të tjera, nuk e linin pa punë”, u shpreh Qirjako.

Sipas saj teknologjia e kohëve të sotme i ka zbehur konkurset që bëheshin vite më parë të cilat kalonin nëpër filtra këngëtarët kohë pas kohe. Sipas këngëtares, është fatkeqësi gjithashtu edhe fakti që në vendin tonë, nuk ekziston një kritikë arti e mirëfilltë, ndërsa publiku nuk sheh punën e vërtetë të këngëtarëve, por vetëm atë që serviret në media.

“Sot është shumë e vështirë. E para e punës sot janë bërë këngëtarë disa që nuk e meritojnë të jenë këngëtarë. Janë këto teknikat që edhe atë që është I stonuar e bëjnë këngëtar. Nuk ka konkurencë të vërtetë, nuk ka artistë të vërtetë, ndershmëri absolute në profesion. Ka shumë të talentuar që mund të flenë mënjanë dhe nuk kanë mundësi të evidentohen sepse nuk janë këto konkurset që bëheshin atëherë. Tani nuk merret njeri. Duhet dikush të merret me këtë punë. Kritika e artit nuk ekziston fare dhe kjo është fatkeqësia më e madhe, që del ai bëhet këngëtar dhe nuk ka një kritik arti që të shkruajë fuqishmë, që edhe ai të eleminohet.Publiku të do, të shikon për atë që bën teknika. Publiku nuk e di të vërtetën tamam, tamam. Publiku nuk kultivohet me muzikë të vërtetë”, tha më tej këngëtarja.

Irini Qirjako është një prej këngëtareve më të njohura polifonike. Ajo numëron dhjetra këngë në 40 vite karrierë. Muajin e fundit ajo sapo ka publikuar 2 këngë, “S’ka si kjo nuse o…” dhe një bashkëpunim  me këngëtaren Silva Gunbardhi.

SHKARKO APP