“Ironia”/ Prezenca e OSBE-së fton Policinë e Shtetit të lexojë një libërth për zgjedhjet

Prezenca e OSBE-së i dhuroi sot, Policisë së Shtetit 5 500 kopje një libërthi që do t’i ndihmojë punonjësit e policisë të cilët do të jenë të ngarkuar me detyra gjatë zgjedhjeve.

Botimi i titulluar “Kujtesë – Detyrat e Policisë së Shtetit në proceset zgjedhore”, i cili u përgatit dhe u shtyp nga Prezenca, përmban udhëzimet e KQZ-së për rolin e policisë gjatë proceseve zgjedhore; rolin e policisë gjatë tubimeve; rolin e saj në ruajtjen e mjediseve, si qendrat e votimit dhe ato të numërimit të votave, si edhe në ruajtjen e materialeve zgjedhore.

Gjithashtu, ai përmban nene të Kodit Zgjedhor për veprat penale zgjedhore.

Duke folur në veprimtarinë e organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në prani të Drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliu dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Policisë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco tha se Prezenca dhe Policia kanë një qëllim të përbashkët: zgjedhje të organizuara në përputhje me standardet më të larta demokratike.

“Ju përfaqësoni një mburojë themelore për vlerat e demokracisë, jeni vija e parë e mbrojtjes e vlerave demokratike mbi të cilat mbështeten zgjedhjet. Përmes punës suaj, ju do të siguroni që njerëzit të kenë zë dhe zëri i tyre të dëgjohet”, – tha Del Monaco.

SHKARKO APP