Ish-deputeti i PD, Sali Shehu kandidon për postin e Komisionierit Shtetëror të Zgjedhjeve

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sali Shehu ka dorëzuar sot dokumentet për pozicionin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, një ditë përpara përfundimit të afatit zyrtar të aplikimeve.

Sali Shehu ka qenë deputet i PD-së, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe i Kryesisë së Partisë, si dhe Kryetar i KLSH-së, ndërsa tani kërkon një tjetër funksion publik.

Kujtojmë se në njoftimin e publikuar nga Kuvendi për plotësimin e 12 vendeve në KQZ-në e re, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që vjen nga radhët e ish-funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish-nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të-ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.

Përzgjedhja e Komisionerit bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në drejtim, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit.

Dokumentet apo referencat provuese të kandidatit për suksesin dhe ligjshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3-vjeçare veprimtarie.

SHKARKO APP