Ish-deputeti i PD-së: Ja 10 gjërat që nuk i dinit për votimet e 30 qershorit
Kur na ndajnë vetëm dy ditë nga votimet moniste që do të organizojë qeveria “Rama”, ish-deputeti i PD-së Gent Strazimiri ironizon votimet e së kësaj të diele, duke thënë se më transparente se sa pjesëmarrja e një kandidati të vetëm zgjedhjet nuk mund të jenë.
Teksa sjell shembujt e Këshillit të Europës, apo Gjykatës së Strasburgut, Strazimiri shprehet përmes rrjeteve sociale, se konkurrimi është element kyç i vlefshmërisë së zgjedhjeve, në të gjitha vendet e BE, ashtu si në SHBA.
“Që në vitin 1995, Shqipëria është vend anëtar i Këshillit të Europës, synon të bëhet anëtar i Bashkimit Europian dhe ka detyrimin të zbatojë “Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut”. Gjykata e Strasburgut e ka bërë të qartë se “e drejta për të zgjedhur, nuk përfshin vetëm të drejtën për të votuar”, (sepse edhe në Korenë e Veriut votohet), “por nënkupton mundësinë e qytetarëve për të zgjedhur mes disa alternativave konkuruese”. Konkurrimi është element kyç i vlefshmërisë së zgjedhjeve, në të gjitha vendet e BE, ashtu si në SHBA! Kush thotë të kundërtën dhe flet për “votime” e jo zgjedhje në Shqipërinë e vitit 2019, thjesht gënjen për hatër të “halleve” të Edi Ramës, jo të demokracisë! Ndërsa, kush kërkon që votimet e 30 Qershorit të jenë transparente, të mos shqetësohet hiç, po hiç fare! Më transparente sesa me një kandidat të vetëm nuk mund të jenë, madje aq transparentë janë, sa që asgjësojnë edhe sekretin e votës, parimin bazë edhe të procesit të vetëm që do zhvillohet…. votimit!”, shprehet Strazimiri, duke e shoqëruar këtë koment të tij me një video ku ai paraqet dhe 10 faktet që nuk dihen për votimet moniste të 30 qershorit.
“10 gjëra që ndoshta nuk i dini nëse votohet me 30 qershor (argumentet juridike):
1. Në 35 bashki (57,3 % të vendit) do votohet për një kandidat të vetëm;
2. Në 57,3 % të vendit nuk do të ketë alternativë zgjedhjeje;
3. Për 35 bashki, 57,3 % të Shqipërisë, nuk duhen as votime, as fletë, as shpenzime;
4. KEDNJ (Protokolli 1, neni 3) i kërkon qeverisë të hartojë zgjedhje demokratike;
5. E drejta për të zgjedhur alternativë e bën një demokraci efektive (V.9267/81);
6. GJEDNJ: E drejta e votës nuk është vetëm proceduriale (V.10547/07);
7. GJEDNJ: Votuesi duhet të ketë mundësinë të ndikojë zgjedhjet (substanciale);
8. GJEDNJ: Votimi me 1 kandidat mohon të drejtën substanciale për të zgjedhur. Vendimi Nr. 48555/10-2015;
9. Zgjedhjet me një kandidat për 57.4% të Shqipërisë – Jo në përputhje me KEDNJ;
10. Nëse disa nga 57.3% të zgjedhësve do t’i drejtohen GJEDNJ pas 30 qershorit: Shqipëria do të dënohej nga GJENDNJ”, thuhet në videon e publikuar nga ish-deputeti, Gent Strazimiri.
KOHA JONË SONDAZH

