Ish-deputeti i PD-së: Më vdiq i afërmi nga Covid-i tek Infektivi, nuk u përfshi në përditësimin e Ministrisë
Nga studio e lajmeve të “Fax News”, ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me një të afërm të tij që ka humbur jetën për shkak të Covid-19, dhe kjo nuk është deklaruar nga autoritetet shëndetësore.
Boçi tha se e ka deklaratën e Ministrisë që nuk e përmendte të afërmin e tij, ndërsa ka provat e analizave se personi në fjalë ishte i infektuar.
Ish-deputeti demokrat rrëfeu se vendosi ta marr për huazim jashtë dëshirës dhe vullnetit të tij rastin në fjalë për sensibilizim dhe argument që autoritetet të tregohen të sinqerta dhe transparente në lidhje me menaxhimin e situatës së krijuar, teksa ka akuzuar qeverinë se ka hequr dorë nga angazhimi i saj për ta luftuar koronavirusin.
“Një njeri i afërm i imi ndërroi jetë nga Covid ndërsa nuk është bërë gjurmimi tek personat e kontaktuar prej tij. Unë e kam mbajtur në heshtje këtë rast por kur zemërata me një menaxhim të tillë është aq e madhe, nuk mund ta mbash vetëm për vete. Humbi jetën në Spitalin Infektiv, e kam deklaratën e autoriteteve shëndetësore, e dëgjova dhe përmendi vetëm dy gra që kishin humbur jetën, ndërsa për rastin e personit tim të afërt nuk u përmend. Nuk ka ndërkohë testime të njerëzve të familjes, të kontakteve parësore dhe dytësore. Rasti i fundit është i Drejtoreshës së Zyrës Arsimore që doli me Covid, por asnjëri prej punonjësve të tjerë nuk janë testuar. Vetëm para 30 minutash kam mesazh që asnjë nga personat që punon aty, nuk është testuar. E vërteta shëron, duhet pranuar se të lejon të ruash vetveten, personat afër teje dhe shoqërisë. Me dhimbje e solla nga eksperienca personale, nuk do doja se sjell emocionalitet, por kjo tregon se si është gjendja, pse protokollet nuk zbatohen. Pse në Shqipëri ka humbur shpresa e jetës ndaj Covidit për persona siç ndodhi me skulptorin e njohur, ndërsa disa të tjerë dërgohen edhe jashtë. Qeveria duket qartazi se ka hequr dorë nga çdo lloj angazhimi. Nuk ka një angazhim qeveritar për testimet”, tha Boçi.