Ish-deputeti: Identifikimi biometrik i rëndësishm! Pa u zgjidhur kjo çështje s’ka diskutim në tryezë!
Ish-deputeti demokrat, Endri Hasa, deklaroi për News24, se identifikimi biometrik është pika kryesore, që po ndan opozitën dhe mazhorancën në tryezën e Reformës Zgjedhore.
Sipas tij, opozita kërkon që të bëhet identifikimi biometrik i zgjedhësve, si një pikë kyçe për të pasur të qartë numrin e shqiptarëve që votojnë.
“Dallimi mes opozitës dhe mazhorancës është që opozita thotë që garancitë të futen në kohë, ndërsa ata thonë që të futet një referencë në kohë. Po u fut në kohë do të ketë angazhimin maksimal të të gjithëve për ta realizuar, pasi kështu është mënyra e vetme që t’iu japim shqiptarëve identetitet të qartë që votuan”, tha ish-deputeti.
Duke folur më gjerë për identifikimin biometrik, ish-deputeti theksoi se kjo ka qenë një propozim i opozitës, që në fillim të reformës. Sipas tij, gjërat duhen zgjidhur me radhë, pasi nuk mund të bllokohet kjo pikë e të vijohet me tjetrën.
“Çdo njeri në aparatin e tij celular ka aparatin e tij të identifikimit me gisht. Nëse ne fusim identifikim biometrik në qendrat e votimit, edhe administrate i përgjigjet kësaj kërkese. Problemi kryesor është pandëshkueshmëria. Duhet identifikimi, që askush të mos ketë mundësi në vend të votojë në emrin e të tjerëve. E sigurt është se me teknologjinë që është sot është e pamundur të ketë problematika. Shenjat e gishtave rrisin nivelin e sigurisë në zgjedhje, ndaj janë me rëndësi. Edhe nëse një makinë në një qendër nuk funksionon, procedura duhet të vazhdojë me firmë në letër. Identifikimi biometrik ka qenë propozimi ynë që në fillim. Ndoshta mazhoranca e përdor këtë për të bllokuar procesin. Por duhet t’iu japim shqiptarëve garancinë e votimit”, u shpreh ai.
Nëse nuk bihet dakord as sot për këtë çështje, rrezikon të mos përmbyllet reforma?
Unë shpresoj që sot në takim do të ketë një tërheqje nga mazhoranca për kët qëndrim, që bllokon dhe shumë procese të tjera. Ne duhet t’i kemi rregullat të qarta, duhet të jenë në ligj. Kjo do vetëm vullnet.
A jeni ju në një linjë me opozitën parlamentare?
Mendoj se të gjithë faktorët në vend, përveç Edi Ramës, nuk kanë problem. Fakti që nuk diskutohet ndyrshimi i sistemit zgjedhor, ka të bëjë me vullnetin e Ramës. Opozita ka shprehur vullnetin e saj për ndryshimet që duhen bërë në systemin zgjedhor. Kemi paraqitur propozimet tona, kemi thënë se jemi të hapur për çdo sistem që garanton përfaqësimin e zgjedhësve.
Me lista të hapura?
Ne jemi të hapur për çdo lloj sistemi. Ne preferojmë sistemin maxhoritar. Zgjedhjet duhet t’iu japin mundësi zgjedhësve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Ne nuk kemi tabu te pjesa e sistemit, ata e kanë mision të tyre sistemin. Nuk janë problematikat te sistemi. Kryesore është që zgjedhësit të votojnë me vullnet të lirë, të identifikohen qartë dhe në mënyrë të atillë që ne të mos kemi vende, ku votimi është 40% dhe vende të tjera, ku papritur votimi shkon 80%.
Pa u arritur dakordësi për teknologjinë, nuk do pranoni të diskutohet rendi i ditës?
Ajo që sjellim në tavolinë ka të bëjë me faktin që duam t’i bëjmë gjërat sipas radhës. Nëse ne zgjedhim teknologjinë e bllokimit, si mund të flasim për gjërat e tjera. Janë çaste dhe momente të reformës, që duhet të marrin zgjidhje.