Ish-dhëndri i vrau vajzën dhe djalin, babai: Më thërriste me shaka ‘babush’, ma futi në anë tjetër
Detaje tronditëse dalin në dritë nga vrasja e dyfishtë që ndodhi në Kodër Rrëshen të martën e kaluar, ngjarje që është bërë sot pjesë e emisionit “Me zemër të hapur” në ‘News24’.
Në një lidhje skype për emisionin, Fran Filopati, babai i dy viktimave, Esmeralda dhe vëllai i saj, Vledison, tregoi se si ish-dhëndri i tij, Fatmir Kolecaj i vrau në derë të shtëpisë dy fëmijët e tij. Ai tha për gazetaren Evis Ahmeti se ish-dhëndri, që dy ditë pas krimit të rëndë vrau dhe veten gjatë një përplasje me policinë, e kishte dhunuar prej kohësh vajzën e tij.
Por pavarësisht dhunës dhe dy urdhrave të mbrojtjes, babai i viktimave thekson se Kolecaj e kishte pranuar divorcin, madje shpesh herë kur fliste në telefon me të për takimet me vajzat, e thërriste me shaka ‘babush’, ndërsa shton se i kapi në befasi si familje.
“Në gjykatë ai ishte dakord, dhe firmosi letrën e divorcit. Ai tha se ishte fajtor vet dhe jo nusja e tij. Ai e pranoi këtë para gjykatës së Lezhës. Fatmiri nuk e ka përndjekur vajzën më pas takimit në gjykatë. Ai ka kërkuar të takonte fëmijët, ia kam çuar. Dhe pse duhej të sillte 220 mijë lekë, s’i ka sjellë. Duhet t’i takonte vajzat 1 herë në muaj. I merrte, pasi ja nisnim me furgon. I merrte, i sillte. I mbante nga 3 ditë. Më tha; shumë faleminderit që s’mi ndal fëmijët. Skam ndërmend t’i ndal fëmijët i thash të takojnë ty. E fus kokën në litar nëse vjen një njeri që e fakton këtë. Ai e pranoi divorcin pa asnjë gjysmë llafi. Ai e ka dhunuar, i kemi të gjitha me raporte. Mes tyre s’ka pasur kontakte, unë kështu e di. Ata nuk kishin kontakt. I ka thënë vajza; me mua s’ke kontakte. Me shkaka më thoshte; babush. Gjoja të më respektonte, por ma futi në tjetër anë. Nuk kam pasur asnjë grindje me atë njëri, vetëm ai ka pasur grindje me vajzën time. Unë kam pasur respekt për familjen e tij. i kam thënë një mijë herë; mos më ngacmo vajzën. ‘Ça të duash të jap, mos e ngacmo’. Të pafajshëm, është vajza dhe djali. Vajza më pa pak 3 gocat jetime 6 deri në 10 vjeçe. Vajza e madhe është klase e pestë. Ai nuk e ka ngacmuar fare, na ka goditur në befasi.”, pohoi i moshuari mes tronditjes së thellë.