Ish-drejtuesit e INSIG, nën hetim për zhdukjen e 5 milionë eurove

Lajmi konfirmohet nga burime prane ketij organi, ku tre ish-zyrtarët e lartë dyshohet se kanë abuzuar me detyrën duke i sjell buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 5 milion euro, raporton Ora News.

Hetimet kanë nisur pas kallëzimit të Ministrisë së Financave, të dorëzuar në akuzën e kryeqytetit në datën 28 tetor 2014.

Ministria e Financave dyshon se dy ish-drejtorët e Përgjithshëm të INSIG Tomor Kalaja e Saimir Zëmblaku dhe ish-drejtori i degës në Kosovë Arben Breshani, kanë shpërdoruar detyrën dhe falsifikuar dokumentat.

Sipas kësaj akuze të ngritur, tre ish-zyrtarët e INSIG po hetohen për shpenzimet e kryera në degën e Kosovës për periudhën 2009-2013, ku dyshohet se kanë përvetësuar shuma të mëdha parash.

Ky fond prej rreth 5 milion euro, sipas kallëzimit ishte parashikuar në bonuset e sigurimit TPL por që ata nuk janë derdhur në arkën e shtetit, duke i ndërruar destinacion.

Në dosjet e dorëzuara në prokurori, thuhet se këto fonde janë tjetërsuar pa marrë miratimin e Këshillit Mbikqyrës, duke i faturuar si shpenzime për marketing e publicitete, shpërblime për punonjësit si dhe shpenzime e riparim zyrash.

Ministria e Financave pretendon se faturat janë fiktive, pasi në asnjë rast nuk provohet se ato janë shpenzuar për të mirën e kompanisë INSIG apo janë derdhur në buxhetin e shtetit. Sipas kallëzimit të financave, rezulton se vetëm për marketing dhe reklama në mediat e Kosovës dega e INSIG-ut ka shpenzuar rreth 4 milion euro, spote publicitare dhe sponzorizime të aktiviteteve të ndryshme. Një shumë prej rreth 1 milion euro është faturuar si përfitime në formën e shpërblimit për punonjësit e kësaj dege në Kosovë.

Ndërsa shuma prej 400 mijë eurosh dega e Kosovës është justifikuar si shpenzime për riparime zyrash, blerje materialesh e sende të tjera. Te gjitha këto shpenzime të përpiluara edhe në raporte dhe fatura, sipas kallzimit, janë fiktive pasi dyshohet se këto shuma mund të jenë përvetësuar.

Tre ish-zyrtarët e lartë po hetohen për akuzat e “shpërdormit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve” kjo e kryer në bashkëpunim.

Ndërkohe gjate hetimit pritet të verifikohet dhe përgjegjësia e bordit drejtues të INSIG ku kryetarë i tij për periudhën kur pretendohet se ka ndodhur vjedhja ka qenë Petraq Milo.

SHKARKO APP