Ish-kryeministri Berisha sulmon Top Channel
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ditën e sotme lidhur me një kronikë të Top Channel, ku fliste për marrëveshjen e detit me Greqinë.
Duke e cilësuar si një konikë të porositur nga kryeministri Edi Rama, Berisha thotë se Top Channel për interesa të kryeministrit gënjeu mbarë opinion publik.
Ish-kryeministri ngre pyetjen lidhur me lajmin që ky televizion kishte siguruar në rrugët e saj diplomatike, dhe që fliste për një marrëveshje të arritur mes Greqisë dhe Shqipërisë, ku vendi ynë do të fitonte shumë më shumë det, se nga marrëveshja e arritur në 2009 kur Berisha ishte në pushtet.
Po ashtu, Berisha sjell në vëmendje edhe lajmin që publikoi një ditë më parë një media greke, ku thuhej se Shqipëria hiqte dorë nga zona 1 dhe 2, zonë kjo që është pasuri me gaz dhe naftë.
Dhe për të përgënjeshtruar këtë lajm, Berisha thotë se Top Channel, i porositur nga Rama bëri kronikën me burime diplomatike, duke mashtruar dhe gënjyer për marrëveshjen e detit.
Reagimi i Berishës
Kapitullanti Edvin Kristaq Rama kapet mat?!
Te dashur miq, mashtrimi me Top Channel dhe mediat e tjera te majta te Edvin Kristaq Rames, eshte nje deshmi tjeter e kapitullimit te tij dhe faljes Greqise te fushave me te medha te naftes dhe gazit ne Jon dhe Mesdhe.
Dje, media e specializuara greke ne fushen e energjise “energypress.gr” publikoi harten dhe njoftimin se ne marreveshjen e re te detit Greqia si perfitime kryesore kishte heqjen dore nga Shqiperia nga blloqet 1 dhe 2 te trilionave te gazit dhe naftes ne Jon.
Fill pas ketij publikimi Edi Rama reagoi, por ne menyre trashanike dhe qesharake, per te mashtruar shqiptaret. Keshtu, sugar Fuga shperndau nje njoftim shtypi, te cilin TCH, dhe pas tij ne kor ne portale dhe gazeta te majta, e serviren dizinformimin e Fuges si te nje diplomati grek pa emer, mbiemer as dhe adrese, sipas te cilit Greqia bujare i kishte falur Shqiperise blloqet 1 dhe 2 dhe shume territore te tjera, me pretendimin qesharak se ajo e beri kete bujari sepse donte te korrigjonte marreveshjen e meparshme per zemermiresi, dhe se ajo me urgjence donte te firmoste kete marreveshje me Shqiperine per shkak te marreveshjeve qe ajo do te firmose me Egjiptin, Qipron, Izraelin dhe Turqine!
Me kete akt te pergenjeshtrimit te mediave te specializuara greke nga zyra e tij, provohet perfundimisht se Edvin Kristaq Rama ka arritur marreveshjen e Detit me Greqine dhe, siç kemi njoftuar jave me pare dhe konfirmuar disa here publikisht nga pala greke, ai ka kapitulluar dhe falur fushat me te medha te gazit dhe naftes ne Jon dhe Mesdhe.
Perveç kesaj, sipas ketij lajmi perseri provohet se ishujt e Egjeut percaktojne qendrimet per ishujt e Jonit!? sb
Lajmi në Top Channel ditën e djeshme
Top Channel mësoi prej burimeve diplomatike në Athinë, se marrëveshja e re e detit parashikon ndarjen e hapësirës detare me parimin e vijës së mesit.
Në ngushticën mes dy vendeve, që është 1.8 milje detare, 0.6 milje i takojnë Shqipërisë, 0.6 milje Greqisë dhe 0.6 milje janë ujëra ndërkombëtare. Në pjesët e tjera aplikohet vija e mesit, duke llogaritur edhe një hapësirë për lundrim ndërkombëtar, distanca këto të bazuara në Konventën Ndërkombëtare të Detit.
Përsa i përket zgjatimit të sovranitetit grek me 12 milje, sikundër tha edhe ministri i Jashtem grek, Nikos Kotzias, ajo do të bëhet nga të dy vendet njëkohësisht.
Në marrëveshjen mes dy vendeve, të përfunduar në Kretë, por të detajuar përfundimisht në Korçë sqarohet se llogaritja e 12 miljeve do të bëhet nga ishulli i fundit i banuar në 1913, periudhë që mes dy vendeve është caktuar një vijë e përafërt kufitare.
12 miljet greke do të aplikohen nga ishulli i Otonos dhe Mandraqi dhe jo nga fari i fundit në Veri, si në marrëveshjen e 2009. Marrëveshja do të bazohet në të drejtën ndërkombëtare të detit për përdorimin e fareve, sipas të cilës faret dhe shkëmbinjtë, ose ishujt ku ata janë ndërtuar, i jepen për administrim vendit që i ka ndërtuar.
Statusi territorial i këtyre fareve dhe i ujërave që i rrethojnë ata, nuk referon pikë nisjeje të 12 miljeve, ose vijës së mesit, siç ishte vendosur në marrëveshjen e 2009, me shkëmbin Bakreta në Ngushticën e Ksamilit, duke i dhënë Greqisë 3/4 e hapësirës detare. Pala greke thotë se me mënyrën e re të matjes dhe pikat referuese të vendosura nga Bushati dhe Kotzias në Kretë, Shqiperia rivendos sovranitetin në atë pjesë detare që humbi me marrëveshjen e 2009.
Mes dy vendeve do të ripërcaktohet zona ekskluzive ekonomike. Shqipëria do ta zgjerojë atë në drejtim të perëndimit drejt kuadrateve “Joni 1” dhe “Joni 2”, të cilat në bazë të marrëveshjes së 2009 i merrte Greqia.
Studimet gjeologjike të kryera që në vitet 1960 prej gjeologëve rusë dhe shqiptarë, por edhe kërkimet e kryera në vitet 2013- 2015 prej kompanive norvegjeze, konfirmojnë se atje gjendet naftë dhe gaz, si vazhdim i fushës naftëmbajtëse Patos-Marinëz-Vlore.
Burimet thanë se Greqia dëshiron një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes, pasi dëshiron aplikimin e precedentit të përcaktimit detar me Shqipërinë ta përdorë si bazë në fazën përfundimtare të negociatave për përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike me Izraelin, Qipron, Libinë dhe Egjiptin.
Ky precedent mund të përdoret politikisht prej saj në një negociim të mundshëm për kufirin detar me Turqinë për vendosjen e sovranitetit grek në Egje.
Siç dihet, Greqia ka kontrollin e ishujve në pothuaj gjithë Egjeun të bazuar në Traktatin e Lozanës, çka kohët e fundit kontestohet prej Presidentit turk Erdogan.
Pikërisht “frika” që Athina ka prej influencës së Presidentit turk në politikën shqiptare, e bën këtë marrëveshje edhe më emergjente, theksojnë burimet e Top Channel në Athinë.
Kjo marrëveshje referon një koordinatë për nisjen e punës për kufirin tokësor. Greqia dhe Shqipëria nuk kanë ende një vijë kufitare të përcaktuar vetë, që prej vitit 1914, kur vija ekzistuese u vendos nga fuqitë e mëdha.
KOHA JONË SONDAZH

