Ish-ministri Bushati: Mazhoranca të bëjë një hap pas, të dalim nga qerthulli vëllavrasës
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i ftuar në ”Now me Erla Mëhillin”, tha se partitë politike në vend duhet të ulen e të krijojnë një gjuhë të përbashkët. Për të krahë të ndryshëm të politikës duhet të bëjnë hapa pas për të arritur një bashkëpunim mes tyre. Bushati shton edhe se në tryezë me BE-në çdo gjë negociohet e nëse një vend nuk arrin të negociojë mes vetes për interesa kombëtare, kjo tregon një lloj papjekurie politike në sytë e vendeve anëtare të BE-së.
”Gjërat në Shqipëri kanë shkuar shumë larg. Për hapin pas ka gjithmonë mundësi se kush ta bëjë. Mund ta bëjë mazhoranca. Ne kur ishim në opozitë, dilnim me plane me 3 pika me 10 pika. Nuk është se Berisha ishte demokrat i madh dhe na trajtonte ne me dashamirësi të madhe, por nga ana tjetër, nuk duhet të qëndrojmë peng i të shkuarës. Kur je në pushtet ti ke interes që pala që është në opozitë të jetë e përfshirë në këto procese.
Pra të ketë diskutime të njëmenda dhe ndarje rolesh në funksion të interesit kombëtar. Mund ta bëjë këtë presidenti i republikës. Ka sa të duash aktor. Mund ta bëjë edhe Baba Mondi, kur ai flet për Jerusalem Post me padurimin për të krijuar shtetin Bektashi, mund ti kërkohet mendim edhe për këtë. dua të them që ne duhet të dalim nga qerthulli vicioz i vëllavrasjes. Jemi të lodhur me njëri-tjetrin, jo më të ulemi ne si një tryezë me gjithë vendet anëtare të BE-së aty do negociosh për çdo gjë. Kur ti nuk arrin konsensus brenda vendit tënd, ça konsensus pret të gjesh me BE-në”,-tha Bushati.