Ish-ministri socialist i Financave: Qeveria “Rama” ka humbur mbi 150 milion euro vetëm në dy gjyqe në Arbitrazh

Arben Malaj, ish-ministër i Financave i Partisë Socialiste, ka analizuar projeksionet e institucioneve vendore dhe ato ndërkombëtare mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare. Ai u shpreh në Euronews Albania se parashikimet janë të zymta, ndërkohë i bëri apel qeverisë shqiptare të lexojë mesazhet që vijnë. “Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se Shqipëria u godit nga tërmeti dhe pandemia, patjetër që do të kishte efekte negative, me rritjen e papunësisë, rritjen e varfërisë. Problemi i parë është se të gjitha e kanë përkeqësuar rënien, madje BERZH është institucioni më skeptik. Faktori i pandemisë ka vepruar edhe në vendet e tjera, ndërsa ne jemi në një situatë më të ekspozuar nga krizat. Këtu vepron elementi politik, elementi i keqqeverisjes, dhe zhvillimet sociale dhe politike u shoqëruan dhe me një situatë më pak shpresëdhënëse nga kriza politike e zgjatur“, tha Malaj.

Eksperti i ekonomisë thotë se qeveria shqiptare duhet të përgatisë pa humbur kohë, ato që ai i cilëson si masa “kundër varfërisë”. Ai parashtroi disa hapa të shpejtë, që duhen aplikuar me qëllim uljen e nivelit të krizës ekonomike në shoqëri. “Është urgjente që qeveria shqiptare të përgatisë masat e anti-varfërisë. Në planin afatshkurtër është ndihma për të papunët. Askush në Shqipëri nuk duhet të ndihet i braktisur nga qeveria e tij. Në afatmesëm është trajnimi dhe ritrajnimi. Besoj që është e nevojshme, që qeveria ta dëgjojë dhe lexojë mesazhet që vijnë. Nuk ka varfëri më të madhe se sa të mos financosh të papunët dhe të varfërit. Paraja që shkon për ata kthehet mënjëherë në ekonomi, sepse ata i përdorin paratë për të plotësuar nevojat imediate“, tha ai.

I pyetur nga gazetarja Bruna Çifligu mbi borxhin publik të Shqipërisë, për këtë z. Malaj renditi disa elementë, të cilët sipas tij kanë ndikuar në rritjen e faturës. Mes tyre ai përmendi edhe gjyqet e humbura në Arbitrazh, ku në dy raste Shqipëria ka humbur mbi 150 milionë euro. Sipas Malajt, borxhi publik ka kaluar shifrën e 80%.

“Që të jemi të sinqertë, qeveria shqiptare dhe institucionet monetare ishin të vonuara të parashikonin valën e parë të krizës. Në fakt me përgjegjësi profesionale deklaroj, duke parë dhe lexuar edhe shifrat e tjera, siç janë kostot e gjyqeve, siç po humben përditë, siç është mospagimi i TVSH-së, borxhi i Shqipërisë rezulton më i madh se 80%, dhe mund të ketë arritur në nivele kritike”, tha ai.

Ish-ministri e mbylli intervistën duke dhënë një mendim për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ai u shpreh se kalimi i tij në Kuvend e ka prekur frymën e marrëveshjes së 5 qershorit. “Ndryshim i Kodit Zgjedhor e ka prekur frymën e marrëveshjes së 5 qershorit“, shtoi Malaj.

SHKARKO APP