Ish-ministri i PS flet për projektligjin për banesat, Malaj: Në parim pro, por ka disa elementë që duhen rishikuar

Eksperti i financave, ish-ministri i PS-së Arben Malaj analizon projektligjin e qeverisë ”Rama 3” për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Ai tha se në parim është dakord, por shtoi se janë disa elemente që duhen rishikuar.

”E para që do theksoj është që në dokumentet shoqërues nuk ka asnjë shifër, që do ishte e detyrueshme që sesa fonde parashikohen të grumbullohen dhe sa ato do amortizojnë goditjet nga tërmeti. Nga pikëpamja profesionale do them që skemat e sigurimit janë të detyrueshme për të ndarë dëmet nga tërmetet. Në parim jam për skema sigurimi.

Element pozitiv është fakti që shtresat në nevojë nuk do të paguajnë dhe do të mbulohen nga buxheti i shtetit. Bordi drejtues i këtij fondi duhej të ishte 3 me 2, një duhej të dilte nga pjesa akademike, jo 4 me 1 siç janë. Në ligj thuhet që përzgjedhja e risiguruesve përjashtohet nga rregullat e riprokuorimit publik, por nuk ka sqarim të plotë. Duhet sqarim se përse bëhet ky përjashtim.

Në këtë aspekt ka nevojë të rishikohet. Duke qenë se është një taksë që do të paguhet nga të gjithë, duhet auditim i plotë dhe do të ishte mirë që drejtuesit kryesor të propozohen nga ministri i financës dhe të zgjidheshin nga Këshilli i Ministrave ose kryeministri. Për mua do të ishte një ndryshim gradual dhe jo një taksë e lartë që në fillim. Unë jam për incentiva që u jepen atyre që e zbatojnë këtë dhe jo për ndëshkime, si të mos pasurit akses në e-Albania nëse nuk e paguajnë. Duhet të heqim dorë nga kultura e qeverisjes në Shqipëri që ‘shqiptarët qeverisen më mirë me penalitete sesa me incentiva”, tha ai.

SHKARKO APP