Ish-ministri me plot salltanete

Hetimet per Spiro Kseren u paralajmeruan qe kur Kleves Bitro, ish-shefi i tij i kabinetit u dënua më 27 Korrik 2014 me 3.6 vite burg.

Tenderi ku ai kishte falsifikuar dokumentacionin shkonte afro 200 mijë dollarë, ndërsa të gjitha letrat e tenderit rezultuan se ishin bërë pasi ishte gjetur kompania fituese dhe pasi ishte kryer edhe puna madje.

DITA botoi ne 4 gusht 2014 për herë të parë faktet e abuzimit.

Behet fjale per dosjen “1 Maji”, me sakte një miting për 1 Majin të dëshiruar fort nga Berisha si kundërmiting për grevën e urisë së opozitës që po zhvillohej asokohe në çadra në Bulevardin e Tiranës.

Ministrisë së Kserës iu dhanë me urgjencë rreth 200 milionë lekë për të organizuar me shpejtësi “mitingun festiv të 1 majit”. Asnjë hyrje-dalje në magazinë nuk rezulton, në “miting” u përdorën disa flamuj të mbetur nga “festat” e mëparshme.

Të 200 milionë lekët avulluan.

Kabineti i Kserës ka firmosur letra sipas të cilave janë bërë shpenzime për aktivitetin. Por asnjë i tillë nuk provohet. Të gjitha janë fiktive, e gjithë procedura është e pambështetur, 200 milionë u zhdukën me një dorë.

Por nuk është kullufitja e vetme me letra false.

Gjatë fundit të vitit 2010, por edhe në vazhdim, mësohet se me nota verbale të Ministrit të Punës, janë dërguar në SHBA persona të cilët nuk ishin zyrtarë të kësaj ministrie. Në notat verbale të përgatitura nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë, përfshiheshin përkundrejt pagesës që u jepej zyrtarëve të kësaj ministrie (hetuesit pohuan lidhjet me vetë Ministrin)  persona të cilët nuk kishin asnjë lidhje me Ministrinë e Punës.

Këta persona sipas dëshmisë në fjalë, paguanin deri në 10 mijë euro personi, për t’u trafikuar drejt SHBA-ve.

Vetëm në fund të tetorit 2010, dy persona (një vajzë e re rreth 27 vjeç nga Elbasani dhe një djalë i ri) kanë marrë vizë ne ambasadën amerikane, sikur të ishin punonjës të ministrisë, gjasme me qëllim pjesmarrjen në një aktivitet që zhvillohej në SHBA.

Gjetja e aktiviteteve që zhvilloheshin në SHBA bëhej nëpërmjet internetit nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë, dhe prej këtij momenti fillonte skema e gjetjes së personave përgatitja e notave verbale, dërgimi në ambasadë si punonjës të Ministrisë etj, pra shitja e vizave amerikane për qëllime përfitimi.

Këto nota verbale nuk rregjistroheshin me një numër të caktuar në protokollin e Ministrisë (në to bëhej shënimi me numër ekstra), madje në protokoll nuk depozitohej dhe ruhej asnjë kopje e tyre. Gjithë kjo me qëllim që zyrtarët të mos kishin asnjë gjurmë për përfshirjen e tyre në këtë trafik vizash (pasi rregulli kërkon që nëse një shkresë ruhet në protokoll, ajo duhet të jetë e sigluar nga punonjësit që e kanë përgatitur atë).

Madje për këta persona janë shpenzuar fonde për udhëtimin, qëndrimin apo dietat nga buxheti i shtetit, sikur ata të ishin zyrtarë të atij institucioni. Kjo do të thotë që “grupi” i Ministrisë, përveç pagesës për vizën, ka vjedhur edhe fondet e buxhetit të shtetit që janë dhënë me urdhër shërbimet për këta persona.

Personat jo zyrtarë të kësaj ministrie, të dërguar në SHBA me nota verbale të Ministrisë së Punës, mësohet se nuk janë kthyer më në Shqipëri, çfarë provon ekzistencën e këtij aktiviteti të paligjshëm ndërmjet zyrtarëve të saj.

Deri në 1500 euro me një dorë merrnin në formë dietash, stafi i ministrisë, pa dalë kurrë nga Shqipëria.

Shpërdorimet dhe vjedhjet e fondeve në Ministrinë e Punës, kanë qenë të konsiderueshme edhe për dietat brenda vendit. Mësohet se për një vit, 95% e fondit të Ministrisë i përcaktuar për këtë shpenzim, është përfituar nga vetëm 8 persona, pjesë e “grupit” të z.Ksera.

Edhe faturat që provojnë shpenzimin e kryer për fjetje apo udhëtim për udhëtime brenda vendit janë të falsifikuara. Për këtë ka patur një kontroll të dyanshëm tek subjektet që pretendohet se kanë lëshuar këto fatura.

Spiro Ksera me siguri nuk është i vetmi. Por skandali ka nxjerrë shumë detaje në sipërfaqe.

Një prej tyre të le pa fjalë: Ish-ministri i Berishës kishte ndërtuar brenda në Ministri ngjitur me zyrën e tij një apartament luksoz me sallon, kuzhinë, dhomë gjumi me tualet, TV etj, me pamje suite të shtrirë në 120 metra katrorë.
Hetimet kanë nxjerrë që ministri përdorte shpesh një shprehje për anëtarë të stafit që nuk pranonin të firmosnin dokumente abuzivë: “Nuk bëhen pjesë e grupit, nuk meritojnë të jeni pjesë e jona”. Kurse drejtori i kabinetit, Kleves Bitro kishte një shprehje në gojë sa herë që ndonjë jurist me përvojë e merrte mënjanë për ta këshilluar.I gjithë ish-kabineti i Kserës rezulton i përfshirë në firmosjen e dokumenteve kompromentues. Dëshmitë e dhëna gjatë marrjes në pyetje të disa prej ish-punonjësve të pyetur, japin detaje të skandalit. Prokuroria tregohet e rezervuar, por në një ministri që ka patur numër punonjësish dhe fonde nga më të lartat e ish-qeverisë Berisha, informacionet dalin shpejt.

“Epo burgu për burra është” – përgjigjej zyrtari i lartë sa herë dikush skandalizohej me shkresat që pranonte të firmoste.

Për të mos folur për zhdukje masive të fondeve të paraplegjikëve dhe për shtimin e “invalidëve” gjatë fushatës zgjedhore me tre dhe katërfish. Disa nga të dhënat që sugjerojnë hetimet janë vërtet tragji-komike. Vetëm në një fshat figurojnë “invalidë” më shumë seç ka patur ndonjëherë të punësuar e gjithë zona.

Tre juristë mësohet se janë shkarkuar pasi nuk kanë pranuar të firmosin “letrat e 1 majit”. Nuk pranuan të bëhen “grup” – siç do thoshte ish-ministri. Një prej juristeve të shkarkuara mësohet se me kopje të letrave fiktive në duar  ka shkuar edhe tek Departamenti i Antikorrupsionit në Kryeministri, tek z.Ivi Kaso dhe tek z.Sali Berisha vetë më pas.

Ka denoncuar çfarë po ndodhte, por…i thanë që nuk ka shkelje. /Dita/

SHKARKO APP