Ish-ministri socialist Arben Malaj: Kur “hienat” e PS-së qajnë për Marko BELLON!
-Pasi e përjashtuan nga Partia Socialiste dhe e lanë papunë, dje filluan ta qajnë me lotë krokodili ish-deputetin e tyre që iku nga kjo jetë. Po kështu dje mësohet se Rilindja ka shkarkuar ish-gazetarin e ZP dhe ish-deputetin socialist Adrian Myslymaj, që njihet në selinë rozë si një ndër socialistët më korrekt dhe i pa akuzuar për shkelje ligji.
Marko Bello, ish-ministri dhe deputeti i PS në disa legjislatura, është ndarë dje nga jeta. Ish-ministri nuk e ka fituar dot betejën me COVID-19 dhe ka ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm në Turqi, ku kurohej prej disa ditësh. Ikja e parakohshme dhe e papritur e Marko Bellos në moshën 58-vjeçare ka tronditur jo vetëm familjen, miqtë e shumtë të deputetit, kolegët në politikën e të gjithë kampeve, në botën akademike, në media e diplomaci, por dhe qytetarët që e kanë njohur dhe e kanë votuar prej vitesh. Marko Bello ishte modeli i politikanit që përfaqësonte vlerat më të mira që i mungojnë aq shumë politikës së vendit. Ishte socialist dhe kontribues i hershëm i PS-së, por para se të ishte një politikan i majtë i mirë, Marko Bello ishte politikan qytetar që kërkonte kompromisin dhe jo konfliktin. Një politikan që vlerësonte shtetin dhe jo partinë. Në historinë e 30 viteve pluralizëm, nuk ka ish-ministër që të mos jetë akuzuar dhe përfolur për afera. Marko Bello bën përjashtim, mund të jetë i vetmi ish-ministër dhe ish-zyrtar i lartë i shtetit, ndaj të cilit asnjëherë nuk ka pasur akuza të tilla. Jo se gjatë luftës politike e kanë kursyer, por sepse edhe kundërshtarët politikë e dinin se në karrierën si gazetar, diplomat, deputet, ministër dhe pedagog të Marko Bellos nuk mund të gjendej asnjë njollë. Ndaj dhe ikja e një politikani dhe qytetari si Marko Bello është një humbje që prek shumë.
Të gjitha mesazhet ngushëlluese dje për Marko Bellon ishin prekëse dhe të ndjera. Kushdo që e ka njohur nga afër Marko Bellon e di se ai meritonte shumë më shumë. Të vetmet mesazhe që linin shijen e keqe të hipokrizisë dhe talljes ishin ato të drejtuesve të kupolës së Partisë Socialiste, që sot njihet si Rilindje. Ngushëllimet për humbjen e jetës për figurën e tij, vinin nga njerëz të PS që e përjashtuan nga partia, tentuan ta denigrojnë dhe nuk e vlerësuan kurrë për kontributin që ai dha për PS dhe për shtetin. Parada e ngushëllimeve false të drejtuesve të Rilindjes, ka irrituar dje dhe ish-ministrin socialist dhe mikun e afërt të Marko Bellos, socialistin Arben Malaj. Në një reagim në rrjetet sociale, Arben Malaj, me tone të forta akuzuese ka kërkuar nga drejtuesit e PS që të mos vazhdojnë më shtirjen sikur gjoja ndjejnë keqardhje. Malaj u ka kujtuar socialistëve që dje “derdhnin lotë”, se ishin ata që e përjashtuan Marko Bellon nga PS duke e shpallur Armik të Partisë dhe e lanë në rrugë.
“Lëreni të prehet i qetë! Është shume e vërtetë që Marko ishte një deputet diplomat, ministër dhe profesor me vlera dhe kontribute të veçanta, por pasi e shpallet “Armik të Partisë” asnjë mundësi nuk i dhatë që ti shërbente vendit të tij me dinjitet, integritet dhe profesionalizëm. Kështu jeni sjellë me shumë shqiptarë të mirë, thjeshtë dhe vetëm se i konsideroni armik të partisë. Rilindja e la pa punë Bellon, ndonëse njihej si një ndër socialistët më të ndershëm dhe asnjëherë i akuzuar për shkelje ligji”,- deklaron Arben Malaj në një postim në Facebook. Malaj thotë se pushteti absolut ka korruptuar gjithçka në drejtimin e PS dhe babëzia ka qenë motivi i vetëm i drejtuesve të saj aktual. “Ju përligjni çdo vjedhje dhe abuzim sepse çdo njeri që ju denoncon i suleni me gjithë arsenalin shpifës për ta vrarë, jo vetëm shpirtërisht. Boll me pangopësinë tuaj! Boll me hipokrizinë tuaj! Boll me vuajtjet e pa fund që me arrogancën dhe babëzinë tuaj por i kushtoni shqiptareve të varfër. Për kategorinë arroganteve dhe të babëziturve populli ka një mallkim nga shpirti: “Kurrë mos u ngopshi” !!””,- shprehet Arben Malaj i revoltuar për sjelljen e drejtuesve të Rilindjes ndaj Marko Bellos.
Hipokrizia, mosmirënjohje duket se janë shprehje kryesore që karakterizojnë Rilindjen. Veç Marko Bellos, Arben Malaj denoncon dhe mënyrën sesi është trajtuar këto ditë një tjetër emër i njohur i PS, gazetari dhe ish-deputeti i Vlorës, Adrian Myslymaj. “Pas nenit famkeq 24/1 ne 92 që largoj nga shërbimi publik disa mijëra shqiptarë të ditur dhe me integritet, periudha juaj e “Rilindasve të babëzitur” do të jetë periudha më e zezë në shkatërrimin e institucioneve të shtetit dhe në largimin nga politika dhe administrata publike të kujtdo që ju pengon të vidhni deri në pangopësi. Para 30 ditëve pushuat nga puna deputetin dhe ish-gazetarin luftarak e patriot të qarkut të Vlorës Adrian Myslymaj thjeshtë për një SMS që i nisi Taulant Ballës. U angazhuar drejtpërdrejtë kryerilindasi Rama dhe e kërcënoj me pushim nga puna. Ministria e Financave Denaj brenda 48 orëve dhe jashtë çdo procedure ligjore e pushoj nga puna. Heshti Gramozi mentori dhe promovuesi i tij politik. Heshti bashkëluftëtari e bashkëgazetari Braçe. Heshti Pandi dhe të gjithë të tjerët”,- shkruan Arben Malaj.
Por Marko Bello dhe Ardian Myslimaj nuk janë të vetmit. Në të njëjtën mënyrë, Rilindja është sjellë shumë e shumë emra të tjerë që i kanë dhënë gjithçka kësaj partie dhe si shpërblim marrin poshtërimin dhe denigrimin publik.
Sapo kanë mbaruar punë me ta apo nëse këta kanë kundërshtuar ndaj praktiktave staliniste në PS, i kanë larguar dhe përjashtuar.
Dhe i qajnë pas vdekjes!
Mili Xhani