Ish-ministri: Të shkrihet Ministria e Brendshme. Prodhon vetëm antikushtetutshmëri

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, deklaron, përmes një postimi në rrjetet sociale se Ministria e Brendshme duhet te shkrihet. Sipas tij, kjo ministri është “çiban që prodhon vetëm antikushtetutshmëri”.

Ndër të tjera, ai thekson se “Reforma tjetër themelore që duhet të eleminojë menjëherë shkeljen masive të lirive dhe të drejtave Kushtetuese në vend, duhet të jetë shkrirja e Ministrisë së Brendshme”.

Në vijim postimi i plotë i Manjanit

Reforma tjetër themelore që duhet të eleminojë menjëherë shkeljen masive të lirive dhe të drejtave Kushtetuese në vend, duhet të jetë shkrirja e Ministrisë së Brendshme.

Edhe si strukturë por edhe si mentalitet duhet shkulur ky çiban që prodhon vetëm anti-kushtetutshmëri.

Ministria e Brendshme në Shqipëri ka emër dhe traditë shumë të keqe sepse ajo lehtësisht shndërrohet si mjeti kryesor i dhunës politike në vend.

Një ministri përgjegjëse politikisht për rendin publik do mjafton, shumë e vogël në numër dhe me detyra thjesht drejtimi civil dhe auditi performance do mjaftonte.

Kjo çon menjëherë tek nevoja për transformimin e thellë, por të thellë fare të policisë së Shtetit. Ajo duhet të jetë thjesht një ruajtëse e rendit publik dhe e gjitha e varur nga Prokuroria e Shtetit për gjurnimin dhe hetimin e çështjeve.

Policia nuk mund të hetojë e aq më pak të proçedojë penalisht siç njofton çdo ditë! Kjo praktikë nuk ka lidhje me Kushtetutën e zbatimit korrekt të Lirive themelore.

Sigurisht i gjithë ky tranformim rrënjësor do të duhet të shoqërohet me ndryshime ligjore domethënëse ku me përparësi do të duhet të: përmbysen ligjet e arrestimit pa prova, ndalimit të policisë të bëjë hetime në kuptimin proçediral penal dhe, kufizimin e të drejtës së shoqërimit në polici.

Pa harruar procedurën e ekzekutimit të masave të sigurisë dhe të ndalimit të dhunimit të banesës natën.

Pra, pikpamja ime është një Ministri Rendi që kryen detyrat civile dhe politike por që nuk ka asnjë rol mbi Policinë. Kjo e fundit ruan rendin nga çdo kërcënim dhe vihet e gjitha nën hyqmin funksional të Prokurorisë.

Prokuroria ka përgjegjësinë kushtetuese para publikut për të luftuar krimin. Edhe zëdhënien në publik e bën Prokuroria dhe jo policia.

Kështu siç është sot ka qenë dhe në rregjimin komunist!

SHKARKO APP