Ish-oficeri i Policisë, Emiljano Nuhu: Informova Ardi Veliun për klanin “Rraja”. Ai nuk e referoi
Një ditë më parë në një operacion të policisë belge dhe asaj gjermane ra në pranga nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja. Ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu, i inflitruar dikur në këto grupe kriminale ka thënë në një lidhje me emisionin ABC-ja e Mëngjesit se e kishte denoncuar atë që ai e quajti klanin “Rraja” që në gusht të vitit 2018.
Nuhu u shpreh se në datat 3 dhe 14 gusht ka dërguar dy e-maile në adresë të drejtorit të policisë Ardi Veliu dhe në dijeni ka qenë edhe ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe Fatmir Xhafaj.
“Më shumë se dy vite më parë e kam lajmëruar. Kam dërguar dy email-e, një në datë 3 gusht dhe një në datën 14 gusht. Kur dërgova të parin nuk mora reagim mendova nga fluksi i punës. Kur e nisa për së dyti prapë nuk mora asnjë përgjigje nga Ardi Veliu, siç kishim marrë më përpara nga drejtorë të tjerë të përgjithshëm”,- u shpreh Nuhu.
Ai tha që ka njoftuar kupolën e policisë se pjesëtarë të kësaj familje merreshin me trafik të lëndëve narkotike brenda dhe jashtë vendit.
“Informacioni ka qenë për këtë grup kriminal, këtë familje mafioze që kryente kultivim dhe trafik droge brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ata e kanë filluar karrierën e tyre me vrasje me pagesë dhe kanë kaluar tek trafiku i drogës.
Kemi raste, kur jo vetëm unë, por edhe agjentë të tjerë kanë kryer operacione ndërkombëtare. Shtetet homologe kanë kërkuar agjentë dhe shteti i ka dhënë agjentë. Strukturat e huaja i kanë marrë për bazë informacionet e mia, por kanë humbur besimin tek strukturat e policisë shqiptare. Nuk bashkëpunojnë më me policinë shqiptare. Nuk mund të krijohet ky operacion pa një person brenda grupit”,- tha Nuhu.
Drejtësia belge dhe ajo gjermane pas një hetimi për gati dy vite zbuluan dhe goditën një grup kriminal të trafikut të kokainës duke arrestuar 8 persona, 6 nga të cilët janë shqiptarë, që cilësohen si drejtuesit e bandës. Mes të arrestuarve është edhe Ramazan Rraja 27 vjeç banues në Nikël, i cili është nipi i deputetit të PS-së, Rrahman Rraja.
27-vjeçari u bë i njohur pak kohë më parë, pasi u denoncua për dhunë ndaj një vajze në ambientet e QSUT-së. Po ashtu, në pranga ra edhe Fioralb Rraja 24 vjeç, banues po në Nikël dhe i afërm i deputetit Rraja.