Ish-Presidenti: Shqipëria nuk meriton të jetë delja e zezë e Ballkanit. Ruani qetësinë, mos e shisni votën

Ish-presidenti i Republikes Alfred Moisiu shpreh shqetësim për situatën parazgjedhore në vend dhe i bën apel klasës politike të jenë në lartësinë e detyrës.

Në një intervistë për News24, Moisiu tha se partitë nuk mund të dalin mbi shtetin duke krijuar struktura paralele, dhe askush nuk mund të dalë mbi kushtetutën dhe ligjin.

“Si ish President, si qytetar aktiv dhe si një prej jush që jetoni me ndershmëri dhe me shpresën për një Shqipëri më të mirë, dua të shpreh shqetësimin e thellë dhe papajtueshmërinë me klimën e tensionit artificial dhe ta panevojshëm, për incidentet e dhunshme dhe rastet e shkeljes së rregullave demokratike në prag të votimit të 25 prillit.” tha Moisiu, ndërsa komentoi edhe situatën në prag të zgjedhjeve.

“ Është krijuar një klimë tensioni e paparë, dikush thotë të vras, dikush thotë te pres, cfarë po ndodh kështu ne nuk po shkojmë në luftë. Partitë dalin mbi shtetin, s’mund të krijojnë partitë struktura mbi ato shtetërore. Shteti ka strukturat e tij, nëse nuk janë në rregull faji i kujt është? Faji i këtyre politikanëve që bërtasin më shumë. Këta e kanë përgjegjësinë. Duan pushtetin, po s’mund të marrin pushtetin me dhunë. Pushteti merret me votë.” vijoi më tej Moisiu.

“Duke qenë një nga mbështetësit më të fortë të reformës në drejtësi, kam pritur dhe pres që institucionet e reja të drejtësisë të japin drejtësi, të kenë kurajon për të hetuar dhe vendosur përpara drejtësisë çdo individë që shkel ligjin, pavarësisht rangut politik dhe ekonomik. Apeli im për drejtësinë është, o sot o kurrë, ndryshe heshtja e saj do të jetë bashkëfajtore për situatën e krijuar. Shqipëria nuk meriton të jetë delja e zezë e Ballkanit, ne duhet të tregojmë se shteti e institucionet janë më të forta sesa partitë, se interesi shtetëror e kombëtar është shumë më i madh sesa çdo interes tjetër politik para dhe pas 25 prillit. Nëse ka individë që duan të dalin mbi Kushtetutën dhe ligjin, drejtësia dhe ligji duhet të jenë përgjigjia zyrtare, vota qytetare duhet të jetë përgjigjia morale.

Të dashur qytetarë. Këshilla dhe apeli im është, ruani qetësinë, mos u frikësoni dhe u dorëzoni në përpjekjet për një Shqipëri më të paqtë, më të mirë dhe më të integruar. Dilni masivisht në zgjedhje me 25 prill dhe kryeni me dinjitet detyrën tuaj qytetare dhe kushtetuese, mos lejoni ta shisni votën dhe as ta jepni për kandidatë që nuk ju meritojnë.” -përfundon mesazhi i ish-Presidentit.

SHKARKO APP