Ish-rivalët republikanë shprehin mbështetjen ndaj ish-presidentit Trump

Dita e dytë e Kuvendit Kombëtar të Partisë Republikane solli në qendër të vëmendjes disa nga ish-rivalët brenda partisë të ish-presidentit Donald Trump. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman mbuloi Kuvendin dhe sjell hollësitë nga Miluoki. Çështja kryesore në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar Republikan ishte “rikthimi i sigurisë në Amerikë”. Por, ajo mund të përkufizohet edhe si nata “kur republikanët zbutën tonet mes tyre”.

Ish-rivalët e ish-Presidentit Trump në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane, u ngjitën në skenë duke përcjellë mesazhe uniteti. “Nëse doni të siguroni kufirin, votoni Trumpin. Nëse doni rikthimin e ligjit dhe rendit në vend, votoni Trumpin”, tha ish-kandidati republikan për president Vivek Ramaswamy.

Përveç sipërmarrësit Ramaswamy, ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley la po ashtu mënjanë dallimet e saj të mëparshme politike me ish-presidentin. “Po e nis duke e bërë një gjë krejtësisht të qartë – Donad Trumpi ka mbështetjen time të fortë”, tha zonja Haley. Gjatë zgjedhjeve paraprake të këtij viti, zonja Haley ishte sfiduesja e fundit e zotit Trump. Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara gjatë administratës së zotit Trump, sulmoi ish-shefin e saj duke e quajtur si njeri të papërshtatshëm që nuk duhet zgjidhur.

Swiss Digital Desktop Reklama

Delegatët nga shteti prej nga vjen zonja Haley, si Gerri McDaniel dhe Robin Holley, preferojnë të shohin para, jo nga e kaluara. “Nuk ka rëndësi se kush kandidoi kundër tij më parë. Presidenti Trump po i bashkon të gjithë dhe kjo është ajo që duam të shohim”, tha delegatja republikane nga Karolina e Jugut, Gerri McDaniel. “Nëse ajo është ashtu siç e mendoj unë, sepse nuk e njoh, do ta harroj të kaluarën dhe do të ketë forcë të ecë përpara që të na bashkojë dhe të ndihmojë vendin tonë”, shton delegatja Robin Holley.

Swiss Digital Mobile Reklama

Edhe Ish-kundërshtarë të tjerë të zotit Trump në zgjedhjet paraprake të këtij viti dhe nga e kaluara folën në kuvend të martën, si Senatori nga Teksasi, Ted Cruz, Marco Rubio nga Florida, ish-sekretari për strehim Ben Carson dhe guvernatori i Floridës, Ron DeSantis.

“Kolegët e mi republikanë, ta kthejme Joe Bidenin në shtëpi, ndërsa Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë”, tha zoti DeSantis. Disa nga kandidatët e mëparshëm dhe të ardhshëm presidencialë që shfaqën mbështetjen e tyre për zotin Trump, pas katër vitesh mund të kërkojnë mbështetjen e tij dhe të delegatëve, sepse fitorja e republikanëve në zgjedhjet e nëntorit do t’i jepte zotit Trump mandatin e tij të dytë dhe të fundit në Shtëpinë e Bardhë. Sot, në ditën e tretë të Kuvendit Republikan në qendër do të jenë çështjet e sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme./VOA/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?