Ish-shefi i policisë i kërkuar për vrasjen e Çollakut: Akuza janë të sajuara

Ndërsa policia është vënë në kërkim të tij, si një ndër personat e përfshirë në rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut, ish-shefi i krimit Ekonomik në Tiranë, Ervin Dalipaj hedh poshtë të gjitha akuzat që janë ngritur ndaj tij, duke theksuar se ka prova që vërtetojnë se nuk ka qenë në Durrës, në momentin e rrëmbimit të Çollakut.
Në një intervistë për “News24”, Ervin Dalipaj thekson se nuk kishte asnjë njohje me Gazmend Çollakun dhe vrasjen e tij e kishte mësuar nga mediat.
“Kam mësuar nga mediat rrëmbimin dhe vrasjen isha në një lokal i ish-oficerit, ish- koleg. Gjatë gjithë ditës kam qenë në Tiranë me të afërmit e mi, me familjen, është e verifikueshme me telefonin tim. E vërtetoj me pamjet filmike të lokalit ku kam pirë kafe dhe me qelizat e telefonit.”- shprehet Dalipaj.
Sipas Dalipajt, akuzat janë fabrikuar nga oficerë të caktuar të policisë. Ish-funksionari i policisë sqaron se me Denis Shtrazën, i cili u arrestua si i dyshuar për vrasjen, ka marrëdhënie shoqërore. Ervin Dalipaj konfirmon se nuk është larguar nga Shqipëria, por thotë se nuk do të dorëzohet në polici, pasi nuk ka besim.
“Shpallja ime në kërkim është tendencioze. Po kërkohem sikur jam terrorist i Parisit. Nuk dorëzohem se nuk kam besim te policia. Kam besim vetëm te prokuroria dhe gjykata”- u shpreh Dalipaj

SHKARKO APP