Ish-të përndjekurit, si pronarët?! – Pritja për dëmshpërblimin mund të zgjasë 33 vite

Ish-të përndjekurit janë kategoria, që ashtu si pronarët, mund t’u duhet të presin dekada për të përfituar dëmshpërblimet financiare që ua njeh ligji. Scan TV disponon analizën që Kontrolli i Lartë i shtetit i ka bërë procesit të dëmshpërblimit të tyre, ku konkludon se me rimet aktuale, kësaj kategorie mund t’i duhet të presin deri në 33 vite për të marrë dëmshpërblimet.

KLSH vlerëson se për vitin 2018, për ish të përndjekurit Qeveria ka disborsuar vetëm 10 milionë dollarë, afërisht gjysmën e shumës së parashikuar fillimisht në buxhetin e shtetit. Konstatohet se vlera e detyrimit të njohur nga shteti Shqiptar dhe i papaguar për ish të përndjekurve politik deri në fund të viti 2018 është 33,381 milion lekë, afërisht 330 milionë dollarë.

Nëse buxhetimi i këtij fondit do të vazhdojë me këtë ritëm, ky detyrim do të mund të shlyhet vetëm pas rreth 33 vitesh (nga 16 vjet me buxhetimin fillestar). Për të ruajtur vlerën reale të kompensimit duke pasur në konsideratë kohën e gjatë, do të duhej që detyrimet e njohura ndaj kësaj shtrese të indeksoheshin me inflacionin, thekson më tej në analizën e KLSH, gjë që do ta rriste edhe më tej detyrimin e shtetit ndaj kësaj kategorie.

SHKARKO APP