Ish-ushtarakët, si do t’ua falë borxhet shteti? Gjithë detajet

Qeveria ka vendosur që t’i japë zgjidhje problematikës shumëvjeçare të kategorisë së ish-ushtarakëve, e shkaktuar si pasojë e detyrimeve të trashëguara financiare në kuadrin e skemës së rillogaritjes së pensionit suplementar. Kështu, përmes një projektligji të posaçëm, qeveria ka marrë përsipër “faljen e detyrimeve të ish-ushtarakëve që kanë rezultuar debitorë si pasojë e efekteve prapavepruese të rillogaritjes së pensioneve në zbatim të ligjit nr.10367, datë 23.12.2010, si dhe të periudhës së gjatë të nxjerrjes dhe përpunimit të dokumentacionit mbi pagën mesatare referuese dhe periudhën e shërbimit”. “Ky projektligj është propozuar në kuadër të angazhimit të ndërmarrë nga qeveria shqiptare në programin politik të saj ku është parashikuar të zgjidhet ngërçi ligjor i ish-ushtarakëve”, citon dokumenti në fjalë, tashmë i publikuar në Fletoren Zyrtare.

I propozuar nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Punëve të Brendshme, ai është nisur pikërisht nga mungesa e konsistencës, qëndrueshmërisë dhe stabilitetit të kuadrit ligjor, që rregullon dhe trajton përfitimet për kategorinë e ish-ushtarakëve. Dhe  përmes tij, propozohet falja e të gjitha detyrimeve apo debive të kësaj kategorie, të cilët rezultojnë të jenë ende debitorë. “Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, deri në fund të muajit shkurt 2016, janë gjithsej 5425 ish-ushtarakë debitorë, me një shumë detyrimi që mbetet për t’u shlyer për 984.5 milionë lekë. Gjatë periudhës nga viti 2010 deri në shkurt 2015, janë shlyer 368.5 milionë lekë. Në këtë numër personash dhe vlerë debitore ka edhe raste, të cilat nuk janë debitorë nga rillogaritja, por kanë rezultuar të tillë për faktin se janë konstatuar të kenë qenë të punësuar apo vetëpunësuar dhe ndërkohë kanë deklaruar fakte jo të vërteta. Të kësaj natyre janë evidentuar mbi 466 persona që kanë një vlerë debie nga 400 mijë deri në 2028 mijë lekë secili, të cilat janë në proces likuidimi”, vlerëson mes të tjerash ky projektligj.

SHIFRAT

Gjatë periudhës nga viti 2010 deri në shkurt 2015, janë shlyer 368.5 milionë lekë. Në këtë numër personash dhe vlerë debitore ka edhe raste, të cilat nuk janë debitorë nga rillogaritja, por kanë rezultuar të tillë për faktin se janë konstatuar të kenë qenë të punësuar apo vetëpunësuar dhe ndërkohë kanë deklaruar fakte jo të vërteta. Të kësaj natyre janë evidentuar mbi 466 persona që kanë një vlerë debie nga 400 mijë deri në 2028 mijë lekë secili, të cilat janë në proces likuidimi”, vlerëson mes të tjerash ky projektligj.

 

Si u krijua ky lloj borxhi ndaj shtetit?

Gjatë periudhës nga 1.1.1999, deri në 30.6.2009, ushtarakët e Forcave të Armatosura, Ministrisë së Rendit Publik dhe SHISH, të cilët kanë dalë në rezervë ose lirim pas datës 3.7.1991, janë trajtuar me pagesa kalimtare, pensione të parakohshme dhe përfitime të tjera suplementare sipas dispozitave të ligjit nr.8087, datë 13.3.1996, të ndryshuar, ndërsa policia e shtetit, është trajtuar me pensione të parakohshme dhe përfitime të tjera suplementare sipas dispozitave të ligjit nr.8661, datë 18.9.2000. Brenda këtij harku kohor, ligji për përfitimet suplementare të ushtarakëve është kontestuar dhe ndryshuar katër herë. Këto katër ligje, janë kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese, duke shfuqizuar njëri-tjetrin, duke mos gjetur kështu zbatim për shkak të efekteve financiare të larta apo për formulë përfitimesh të pa pranuar nga ish-ushtarakët. Në nëntor 2010, u miratua Akti Normativ nr.5, datë 10.11.2010, të Këshillit të Ministrave”, i cili mori fuqinë e ligjit, me ligjin nr.10367, datë 23.12.2010. Ky ligj ndryshonte rrënjësisht formulën e pensioneve, zbatimi i së cilës solli si pasojë rillogaritjen e pensioneve për mbi 20 mijë pensione të parakohshme e suplementare nga të cilat evidentohet të kenë rezultuar debitorë 6.738 ish-ushtarakë (afërsisht 35 % e ish-ushtarakëve), me një shumë prej 1.313.7 milionë lekësh. Bazuar në vendimin nr.793, datë 24.9.2010, të ndryshuar, rillogaritja e përfitimeve është mbi bazën e një Modelarit 03 “Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën neto mesatare referuese”, dokument i cili, plotësohej nga strukturat e ministrive të linjës dhe më pas përcillej zyrtarisht pranë strukturave rajonale të sigurimeve shoqërore, që zbatonin procedurën e llogaritjes apo rillogaritjes së përfitimit. Këto dokumente janë dërguar zyrtarisht në strukturat e sigurimeve shoqërore, fillimisht në 2010 dhe më pas nga 2011, e akoma vijojnë të dërgohen. Për ish-ushtarakët, të cilëve dokumentacioni i rillogaritjes u dërgua më shpejt, vlera debitore ka qenë më e ulët dhe tashmë debia është shuar, ndërkohë që për një numër të konsiderueshëm të ushtarakëve, të cilët kanë edhe gradë më të ulët, (nënoficer), për të cilët dokumentacioni është dërguar më me vonesë, e për disa të tjerë dokumentacioni të cilëve ende nga ministritë e linjës nuk u është nxjerrë dhe dërguar, vlera debitore rezulton të jetë mjaft e lartë. Nisur nga kjo mungesë konsistence dhe stabiliteti i kuadrit ligjor, i kontestuar në vazhdimësi, ku edhe vendimi i fundit i gjykatës Kushtetuese është i shkurtit 2 2013, ndërkohë që ligji i ndryshuar ka efekte financiare nga data 1.7.2009, janë krijuar detyrime dhe për këto shkaqe propozohet edhe falja e debive të ish-ushtarakëve, të cilët rezultojnë të jenë ende debitorë nga rillogaritja. Ndërkohë, konstatohet se ka një numër ushtarakësh që me vendime gjyqi të formës së prerë, në harkun kohor 2010 deri në shkurt 2013, kur doli vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, kanë përfituar të drejta pensioni në masa shumë të larta dhe për më tepër në kundërshtim me masën e përfitimit të caktuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, bazuar në dispozitat e ligjit nr.10367, datë 23.12.2010. Këto përfitime janë kundërshtuar nga ISSH-ja dhe janë në proces gjykimi në Gjykatën e Lartë e cila i ka kthyer për rigjykim. Tashmë janë disa vendime të marra ku është përcaktuar kthimi i shumave të përfituara pas datës 1.7.2009, dhe lënien në fuqi të shumave të përfitimeve, sipas rillogaritjes së pensionit bazuar në dispozitat e ligjit të sipërshënuar.

LISTA

 Gjendja e debitorëve sipas masës së  pensionit konstatohet si më poshtë:

  • Deri 25 mijë lekë 934 persona
  • 25-50 mijë lekë 668 persona
  • 50-100 mijë lekë 862 persona
  • 100-150 mijë lekë 609 persona
  • 150-200 mijë lekë 466 persona
  • 200-250 mijë lekë 512 persona
  • 250-300 mijë lekë 426 persona
  • 300-350 mijë lekë 272 persona
  • 350-400 mijë lekë 210 persona
  • Mbi 400 mijë lekë 466 persona.

SHKARKO APP