“Ishin ditët më të vështira të jetës sime”, shkrimtari shqiptar rrëfen betejën me Covid-19 pas 40 ditësh në spital

Shkrimtari dhe botuesi i njohur, Mark Simoni, ka fituar luftën me COVID-19. Lajmin e bën të ditur vetë Simoni, ku përmes një postimi në rrjetet sociale rrëfen përjetimet e tij.

Shkrimtari shkruan se ditët e përballjes me virusin e rëndë kanë qenë shumë të vështira, ndërsa shton se “COVID është një Inteligjent i Zi, një rrezik kaq i madh e potencial, sa vetëm ajo fjalë paraqet rrezikun e tij të vërtetë”.

Mesazhi i shkrimtarit:

PA ETIKË? ….

U ktheva. Një kthim i vështirë, duke dalë nga tuneli i errët i sëmundjes, vetëm një çast larg, ku unë isha fare pranë të bërit banor i një realiteti tjetër. Kanë qenë ditët më të vështira të jetës sime.
Sa herë më është kujtuar një poezi, mos gaboj e Din Mehmetit TË VEGJËL SPITALET / Dhomat janë shumë të vogla, koridoret krejt të ngushtë, për t’i shpëtuar VDEKJES.
Ndoshta kjo fjalë e rëndë duhet të mos përdoret për arsye etike. Por edhe më etike se vetë etika është e vërteta. COVID është një Inteligjent i Zi, një rrezik kaq i madh e potencial, sa vetëm ajo fjalë paraqet rrezikun e tij të vërtetë.
Ndaj dhe ne si Shtëpi Botuese MUZGU, në alarm dhe respekt të mbrojtjes nga kjo flamë, kemi dhuruar rreth 200 maska të personalizuara, si një gjest për t’i rënë këmbanave të rrezikut.
Të vetmit në atë terrin tim prej 40 ditësh në spital, që më jepnin dritë dhe iluminim ishin qindra e qindra mesazhet tuaja që më vinin si bekim. Përulem dhe bie në gjunjë, para mesazheve, përshëndetjeve dhe urimeve tuaja, që më dhanë aq shumë frymë sa vetëm vetja ime e di dhe e ndjen.

SHKARKO APP