Ishin tërbuar, vriten 261 dhelpra të kuqe
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) prej Janarit të vitit 2018 po zbaton vendimin e Këshillit të Ministrave VKM nr. 57, datë 31. 01. 2018. Sipas këtij vendimi 39 punonjës të AdZM-ve ngarkohen me detyrën e asgjësimit të dhelprave të kuqe, pasi ju janë hedhur vaksinat provë kundër sëmundjes së tërbimit. Kampionët dërgohen në ISUV, (Instituti i Ushqimit dhe Veterinarisë), ku analizohen kampionet e gjakut dhe shikohet si ka reaguar trupi në krijimin e antikorpeve pas vaksinimit.
Aktualisht ka përfunduar faza e 8-të e projektit PAZA dhe janë asgjësuar 261 dhelpra të kuqe në të gjithë vendin.
“Jemi në fazën e 9-të dhe po përgatiten procedurat për fazën e 10-të, e cila dhe përmbyll projektin. Sipas drejtuesëve të Projektit PAZA kjo është faza më e mirë dhe Shqipëria ka treguesit më të mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ku po zbatohet ky program. Sipas planifikimit, deri në fund të muajit dhjetor të këtij viti pritet të asgjesohen 324 dhelpra të kuqe në vendin tonë. 39 punonjësit e AdZM-ve janë trajnuar për të kryer procedurat sipas standardeve, si dhe kur dalin në terren kanë veshjet përkatëse, ku dallohen logot e institucionit dhe të programit”,- njofton AKZM.
Ky program ka vlerë shëndetësore dhe mjekësore, pasi përveçse mbrohen popullatat e dhelprës dhe kafshëve të tjera nga virusi i tërbimit, por ndihmon dhe në gjetjen e vaksinës kundër virusit të tërbimit. Dhelpra e kuqe është mbartëse e virusit të tërbimit dhe prej saj infektohen qentë, macet, duke infektuar dhe njeriun nëse infektohet prej tyre.

KOHA JONË SONDAZH

