ISHP në Durrës jep alarmin për testimet: Prej 10 ditësh marrim nga 20 tamponë, me 200 nuk përballohet
Në Durrës nuk ka tampone për testet Covid. Alarmi vjen nga specialistët e ISHP-së.
Mjekët bëjnë të ditur se në këtë situatë nuk kryhet as testimi i personave të së njëjtës familje kur një nga anëtarët del pozitiv.
Zija Alhysa: Gjendja më e keqe për tamponët është tani. Kemi 10 ditë që ne marrim nga 20 tamponë në ditë. Numri është rritur aq shumë sa edhe 200 tamponë në ditë ne nuk i përballojmë dot me bo hetimin epidemiologjik. Nuk jemi duke bërë as kontaktet me të sëmurët. Nëse një pacient infektohet, të gjithë kontaktet që kanë qenë brenda periudhës së inkubacionit të virusit, kontaktet e tij duhet të bëhen të gjithë, por ne nuk bëjmë as pjesëtarët e familjes më.
Ndërkohë, në Berat këtë të enjte ka nisur procesi i vaksinimit të mjekëve.
Për të gjithë qarkun këtë të enjte shkuan vetëm 150 doza.
Kryeministri Rama, i cili ndjek hapjen e qendrave të vaksinimit nëpër qarqe, njoftoi nga Berati se shumë shpejt do të angazhojë ushtrinë dhe studentët e mjekësisë në procesin e vaksinimit të popullatës edhe pse deri tani Shqipëria ka siguruar një sasi të pallogaritshme dozash në krahasim me numrin e banorëve.
Edi Rama: Jo vetëm me qendrat shëndetësore por të përfshijmë dhe ushtrinë, studentë të infermierisë në mënyrë që të gjithë këtë periudhë të pranverës ta kthejmë në një periudhë vaksinimi intensiv.
Këtë javë pritet që të dërgohen vaksina edhe në Korçë, ndërsa vijon në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, dhe Vlorë.