”Ishte vr*sje me dorën e mjekut”, gjyshi i 3-vjeçarit: Djali ishte në gjendje kome kur na e dhanë

Gjyshi i 3-vjeçarit që ndërroj jetë pas anestezisë ka treguar me detaje rrethanat që çuan në përkeqësimin e shëndetit dhe më pas humbjen e jetës së të miturit.

Duma: Si janë prindrit e djalit?

Spahiu: Janë në gjendje shokuese, të rëndë. Ata janë një çift i ri që kanë humbur një fëmijë 3 vjeç. Kjo është tragjedia më e madhe që mund t’i ndodh dikujt në vendin tonë. Ajo që e bën më të rëndë rastin është se u vra nga dora e një mjeku, një mashtruesi që pasi ndodhi ngjarja u përpoq të mbulonte gjurmët e krimit. Sepse djalin ne e kishim si kokrra e mollës. Ne e çuam fëmijën për të bërë pastrimin e dhëmbëve sepse kishte të zeza, dhe normalisht si çdo prind që merr masa kërkuam t’i bënim një vizitë tek dentist. Pyetëm njerëz vërdallë për të na rekomanduar një mjek të mirë dhe na rekomanduan këtë si mjek. Roland Xhaxhua, sepse vetëm mjek nuk mund t’i them. Vajtëm para disa ditëve dhe u këshilluam me vajzën dhe zotërinë, bëmë edhe pazarin e punës, ramë dakord. E vizitoi djalin, i bëri analizat, e mori në krahë djalin dhe po luante me të sepse djali ishte fëmijë i qeshur.

Duma: Djali e bëri konsultën dhe ndërhyrjen në të njëjtën ditë?

Spahiu: Po. Ne menduam se kishte 4 dhëmbë dhe dy dhëmballë dhe për të pastruar gojën. Por ai e mori dhe vijoi punën. Ne ishim të shqetësuar sepse operacioni zgjati për një kohë të gjatë. Dhe pyetëm gjithandej, na tha që është mirë. Kur e pyetëm pse kaq kohë e gjatë na thanë që prit sa t’i dalë narkoza. Ne i thamë 4 dhëmbë dhe dhëmballët, ai i bëri djalit 14 vetëm për të marrë lekë.

Duma: Ju e dinit që do t’i nënshtrohej anestezisë?

Spahiu: Po, mjeku na tha që nuk ka asnjë problem. Ishte një anestezi e lehtë. Kam një solucion të veçantë, që e përdor për këtë punë tek fëmijët në raste të tilla. Nuk do të jetë asnjë problem.

Duma: A firmosët ju?

Spahiu: Po, është një procedurë normale na tha mjeku, që ndiqej për çdo pacientë, i rritur apo i ri. Dhe natyrisht si çdo prind që hedh një firmë për një procedurë normale, hodhëm edhe ne.

Procedura zgjati 9 orë e 20 minuta.

Duma: Juve nuk shqetësoheshit?

Spahiu: Po, shumë herë. Neve ishim aty, prisnim tek shkallët. Disa herë u ngjitëm lartë me idenë, ore po çu bë djali. Trokita në derë, doli sekretarja dhe tha që djali është në gjendje shumë të mirë dhe po vijon puna për pastrimin e dhëmbëve. Tani ne besim tek mjeku kemi, jo tek mekaniku për të na bërë dhëmbët. Ne nuk e dinim që do bënte 14 dhëmballë, sepse po ta dija do të kisha ndërhyrë vetë aty brenda të merrja djalin. Pasi e nxori djalin, e pamë dhe i thamë që “djali nuk është mirë. Nuk po reagon.” Ai më tha që është shumë mirë, dhe çojeni në shtëpi sepse është efekti i narkozës.

Duma: Nuk ishit të shqetësuar ju kur ai fliste për narkozë?

Spahiu: Jo, sepse ai tha që ishte një solucion i lehtë që e përdorte tek fëmijët dhe menduam se ishte ajo. Mjeku na tha që sapo ti dalë narkoza do të jetë mirë. Ne e morëm djalin në gjendjen më të rëndë, më kritike. Nuk e dinim nga ishte pasoja.

Sa e sollëm në shtëpi djalit i filloi temperatura e lartë. Sapo e pashë keq e çuam tek “Nënë Tereza” dhe mjeku i parë që e kapi tha që djali është në gjendje kome. Ne po vinim vërdallë aty, të shqetësuar. U mblodh një grup i parë mjekësh, po konsultoheshin me njeri-tjetrin. Mjekët thanë që urgjent t’i heqim narkozën e tepërt.

Nuk e di nëse dikush u dha urdhër apo gjë, por kam parë një impenjim të madh nga mjekët e QSUT-së për të ndihmuar djalin. 3 mjekë i kanë qëndruar djalit gjithë natën në kokë. /Top Channel/

SHKARKO APP