Ishujt në Greqi drejt mbylljes, rastet e reja po rriten me shpejtësi

Duke parë rritje të konstanteve të infektimeve që vazhdon të jetë mesatarisht mbi 3000 raste në ditë, zv/ministri iMbrojtjes së Qytetarit, Nikos Hardhalias ka paralajmëruar mesditen e së shtunës për lockdown-in e lokaleve në ishujt grekë, si ai që u vendos në ishullin turistik të Mykonos para dy javësh.

“Nëse shohim se situata po del jashtë kontrollit, se kemi vazhdimisht raste të reja dhe se nuk po përballojmë dot ato që kemi , padyshim që do marrim masa të paktën në disa ishuj”, ka thënë, ai duke veçuar madje ishullin Ios ku situata është tepër shqetësuese.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve lokale dhe vizitorëve që t’i kushtojnë vëmendje të madhe masave të mbrojtjes personale dhe rregullave të funksionimit, veçanërisht në zonat me mbingarkesë të lartë turistesh. Përveç kësaj, kontrolle intensive do të vazhdojnë në të dy ishujt, ndërsa mekanizmat e kontrollit do të përforcohen”, tha Nikos Hardalias, Zv/Ministër i Mbrojtjes Civile.

Zonat e tjera në Greqi që gjithashtu tregojnë një rritje të infeksioneve ndër të tjera janë Spetses, Paxous , Chios, Evia si dhe Selaniku, Halkidikia, Kozani, Florina, Viotia dhe Messinia.

Përveç infektimeve ,ku shumë raste duket se janë me variantin Delta të koronavirusit , janë rritur shtrimet në spitale dhe numri i të intubuarve.

Autoritete greke shprehin shqetësim të madh sidomos këto ditë kur është rritur jashtëzakonisht numri i pushuesve që shkojnë drejt ishujve megjithëse te gjithë udhëtaret I nënshtrohen kontrolleve të rrepta sipas protokolleve.

Ndërsa 99% e të intubuarve janë të pa vaksinuar, specialistët shprehen se ende me vaksinimin e plotë të vetëm 55% të popullsisë nuk mund të sigurohet një mur mbrojtës sidomos ndaj variacionit të ri të virusit që është shumë më infektiv dhe i rrezikshëm se ai fillestar, ndaj bëjnë thirrje për vaksinimin jo vetëm të të rriturve, por edhe të fëmijëve nën moshën 12 vjeç që kanë probleme shëndetësore.

SHKARKO APP