Ismaili: Qytetarët, shkelësit më të mëdhenj të qarkullimit rrugor

Duke parë situatën e rëndë të aksidenteve rrugore, Skënder Ismaili, shefi i Sektorit të Sigurisë Rrugore, thotë se njohuritë për qarkullimin rrugor duhet të jenë lëndë arsimore që në ciklin parashkollor e deri në universitet. Sipas tij, qytetarët janë shkelësit më të mëdhenj të rregullave të qarkullimit rrugor. Ismaili tha se në ligjin shqiptar ekziston neni që lejon marrjen e masës administrative gjobë ndaj këmbësorëve, por tashmë do nisë dhe të zbatohet me rigorozitet.

“Edukimi me rregullat e qarkullimit rrugor si një nga komponentët më të rëndësishëm të sigurisë rrugore është që këto njohuri duhen marrë në të gjitha nivelet e shkollimit, që nga niveli parashkollor dhe deri në fakultet. Ka ardhur koha që lënda e njohuri mbi trafikun rrugor të jetë një nga lëndët që duhet aplikuar në të gjitha ciklet arsimore”, tha Ismaili për ”Atsh”.

Nga ana tjetër, ai pohon se legjislacioni shqiptarë parashikon dhe masën administrative gjobë ndaj këmbësorëve. ”Kodi Rrugor në nenet 188 dhe 189 të tij ka përcaktuar detyrimet e këmbësoreve ndaj drejtuesit të mjeteve dhe anasjelltas dhe policia nuk do e toleroj më shkeljen e këtij neni. Një vështirësi për zbatimin e këtyre neneve ka qenë dhe se si duhet të vilet kjo masë administrative. Këmbësorët kanë një dokument që quhet dokumenti i identifikimit me vete dhe përmes këtij dokumenti, punonjësi i policisë rrugore i vë gjobën në emër të tij dhe kjo masë administrative i del online në të gjitha shërbimet publike që qytetari do haset, në pagesat në Bashki, kalimin e kufirit, marrjen e pensionit. Çka do ta bëjë qytetarin ta paguajë gjobën, por dua të theksoi se gjoba nuk është mjet ndëshkimi, por ndërgjegjësimi”.

SHKARKO APP