Isuf Kalo: Enver Hoxha, një pacient i pazakontë

 

Mjeku i njohur Isuf Kalo, ka pohuar gjatë një interviste për mediat se shëndetësia sot është si një kështjellë feudale, që kontrollohet nga baronët.

“Ndodh që vendimmarrje për shpenzime disa qindra milionë euro merren në mënyrë të mbyllur, pa diskutime e ballafaqim të hapur me alternativa të tjera që shkencërisht janë provuar si me kosto efektive për maksimalizimin e përfitimit publik shëndetësor. Sistemi ynë ka nevojë për një proces demokratizues. Proceset demokratizuese kanë depërtuar shumë pak në brendësi të tij. Në gjendjen e sotme ai duket i tipit feudal, i mbyllur në një tip kështjelle; me individ të gjithëpushtetshëm si padronë ose baronë në të”, thotë Kalo.

Por ai flet edhe për kohën kur i ka shërbyer diktatorit Enver Hoxha, si mjek personal.

“Përse të më bezdisë?! Ndofta përveç faktit jo të pëlqyeshëm që përmendet emri i një ish­pacienti që prej kohe nuk jeton. Për mua ishte pacient jo i zakontë, i cili më besoi, më çmoi dhe respektoi si mjek. Them se njerëzisht dhe për të mos bërë në kontekstin e sotëm hipokritin, më takon t’i mbetem mirënjohës për këto. I jam mirënjohës edhe sepse nuk më mbajti në ato vite në dispozicion të mbërthyer pas vetes, por më lejoi të krijoj e të shfrytëzoj hapësira për zhvillimin e aftësive dhe veprimtarive të mija profesionale përtej mureve e të shtëpisë së tij e të Bllokut. Ndërkohë e kam sqaruar publikisht që raportet e mia si edhe të kolegëve të tjerë me të cilët e mjekuam atë, si ekip, kanë qenë korrekte dhe thjesht profesionale. Madje, nëse flas specifikisht për veten time, mund të sqaroj se ndryshe nga sa ndodhi me disa nga kolegët e atij ekipi, unë nuk u përfshiva as atëherë, as më pas në hierarkinë e “nomenklaturës së lartë” në kuptimin e ndonjë posti apo ofiqi qeveritar, partiak apo parlamentar. Unë isha, mbeta dhe vazhdoj të jem vetëm mjek specialist. E vërteta është që në kontekstin e kohës dhe të imazhit të personalitetit që ai përfaqësonte, detyra si mjek pranë tij ishte mjaft e lakmuar. Por unë mbetem i habitur që detyra profesionalisht prestigjioze që kreva më pas si ekspert në postin që pata në Organizatën Botërore të Shëndetësisë për Evropën, madje për një kohë prej 15 vjetësh, nuk ka lënë në opinion asnjë mbresë. Për mua, ajo mbetet arritja dhe krenaria më e veçantë e karrierës time mjekësore. E them pa asnjë kompleks për detyrën pranë Enver Hoxhës, që do ishte më e drejtë e të më përmendin lidhur me detyrën në OBSH për Evropën ku shërbeva edhe më gjatë, që ishte nder për shëndetësinë tonë”, ka deklaruar ai.

SHKARKO APP