Itali, shkatërrohet grupi kriminal i shqiptarëve që trafikonte drogë
Seksioni kundër narkotikëve në qytetin e Peruxhas ka shkatërruar një grup kriminal të përbërë nga 11 shtetas shqiptarë, që dyshohet se shpërndanin kokainë në disa zona të qytetit.
Operacioni për kapjen e tyre nisi fillimvitin e kaluar pas raportimeve se disa të rinj shqiptarë po shfrytëzonin mundësinë e lëvizjes pa viza për tre muaj në territorin italian për t’u punësuar përkohësisht si korrierë të lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve italiane, mekanizëmi i përdorimit të personave të ndryshëm në veprimtarinë kriminale bëhej për të hutuar hetuesit vendas dhe e kishte vështirësuar identifikimin e saktë të pjesëmarrësve në organizatën kriminale.
Sasia e drogës ndahej në pjesë më të vogla gjatë orëve të natës dhe u shpërndahej gjatë ditës klientëve që vinin nga rajone dhe klasa të shumëllojshme sociale, të moshës 20 deri 60 vjeç.
Në operacionin e së mërkurës, policia peruxhane kapi në flagrancë dhe urdhëroi paraburgosjen e gjashtë të dyshuarve me origjinë shqiptare, ndërsa 3 shtetas të tjerë kanë mundur t’i largohen autoriteteve dhe mendohet se po fshihen në Shqipëri.
Autoritetet gjithashtu kanë konfiskuar 1 kg e gjysmë lëndë kokainë që do të shitej në tregun italian për rreth 150 mijë euro, dhe 20 mijë euro në vlerë monetare.
KOHA JONË SONDAZH

