Italia dërgon grupin e parë të migrantëve drejt Shqipërisë
Italia po dërgon grupin e parë të emigrantëve drejt Shqipërisë, me anije, tha të hënën për agjencinë e lajmeve Reuters një burim i afërt me çështjen, duke i hapur udhë zbatimit të një plani të diskutueshem për përpunimin jashtë vendit të kërkesave për azil.
Qeveria e kryeministres Meloni ka ngritur dy qendra pritëse në Shqipëri, marrëveshja e parë e këtij lloji,sipas të cilës një vend të Bashkimit Evropian i dërgon emigrantët në një vend që nuk është pjesë e unionit, në përpjekje për të penguar emigracionin e paligjshëm.
Burimi i agjencisë Reuters, i cili nuk pranoi të identifikohej, tha se anija ‘Libra’ ishte nisur nga ishulli i Lampeduzës me 16 emigrantë meshkuj të cilët u shpëtuan në det të dielën. 10 janë nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti, vende që konsiderohen si të sigurta nga Italia.
Në listën e Italisë, aktualisht janë 21 shtete të tilla. Vitin e kaluar, 56,588 emigrantë mbërritën nga Italia nga 4 prej shteteve që konsiderohen të sigurta, Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Tunizia.
Anija ‘Libra’ pritet të mbërrijë në Shqipëri mëngjesin e së mërkurës, tha burimi.
Në portin e Shëngjinit, vetëm disa dhjetra metra ndajnë, nga kalata ku anijet ushtarake italiane pritet të ankorohen për të zbarkuar migrantët, dhe qendrës së parë ku ata do të ndalojnë për të paktën disa orë në pritje të procedurave burokratike. Aty ata fillimisht do të mund të bëjnë dush, të ndërrohen me veshjet e reja që do t’u ofrohen si dhe të ushqehen. Më pas do të kalojnë procesin e identifikimit, në përfundim të të cilit do të transportohen drejt Gjadrit, i cili është funksional që prej javës së shkuar, pas shumë muajsh punimesh, në një pjesë të asaj që ka qenë një ish aeroport ushtarak, i braktisur pas viteve ‘90.
Aty është dhe kampi ku sipas marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, migrantët do të duhet të qëndrojnë në pritje të shqyrtimit të kërkesës për azil, përgjigja për të cilën do të duhet të jepet brenda 28 ditësh.
Në hyrje të kampit ndodhen ndërtesa dykatëshe të ngritura me module të parafabrikuara, ku janë mjediset e punës dhe të fjetjes së personelit italian, i cili përbëhet nga përfaqësuesë të disa institucioneve italiane: ministrisë së Brendshme, ministrisë së Mbrojtjes, ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Shëndetësisë, si dhe nga punonjësit e kompanisë e cila do të administrojë kampin.
Menjëherë pas tij, një rrugë e shtruar me asfalt të çon në zonën kryesore, ku do të qëndrojnë migrantët. E izoluar me një gardh të dyfishtë metalik mbi 5 metra të gjatë, ajo përfshin një shesh qëndror përqark të cilit ndodhen dhomat për katër persona, me dy shtretët marinarë dhe një tavolinë të vogël me 4 karrike. Mjediset e tualetit dhe dushet janë të përbashkëta. Po këtu ndodhet dhe një mensë, një infermieri si dhe një dhomë për besimtarët ku mund të kryejnë ritet e tyre fetare.
Migrantët nuk mund të dalin, veçse kur do të duhet të kryejnë procedurat administrative që lidhen me kërkesën e tyre për azil. Në hyrje të kësaj zone janë zyrat për nëpunësit italinë, si dhe mjedise të tjera për avokatët apo përfaqësuesë ligjorë të migrantëve. Në këtë fazë, këtu mund të strehohen deri në 400 migrantë.
Në kushte më të rrepta sigurie, është zona e dytë e kampit, po ashtu e rrethuar, e ku do të duhet të qëndrojnë ata, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil dhe do të duhet të riatdhesohen.
Shufra të trasha hekuri mbulojnë dritaret e dhomave, po për katër persona, por me hapësira pak më të mëdha, dhe me një derë e cila del në një oborr të vogël të mbyllur. Për momentin, këtu do të mund të qëndrojnë vetëm disa dhjetra persona.
Brenda strukturës në Gjadër, është ngritur dhe një burg i vogël, për të gjithë ata që mund të kryejnë krime gjatë qëndrimit në kamp. Nga Italia është dërguar personel i administratës së burgjeve. Pas ndërtesës kryesore ku ndodhen zyrat e tyre, janë dhe qelitë, me hapësira të bollshme, të pajisura me frigoriferë dhe televizorë, si dhe me tualet dhe dushe. Brenda zonës së burgut janë ngritur dhe sallat e gjyqit, ku do të mund të zhvillohen proceset gjyqësore ndaj të dyshuarve, me gjykatësit italianë që do të mund të drejtojnë seancat dhe përmes videokonferencave.
Sipas marrëveshjes deri në 36 mijë emigrantë mund të dërgohen për përpunim në territorin shqiptar çdo vit nga Italia, për sa kohë që ata vijnë nga lista e vendeve të sigurta. Për emigrantët nga këto vende ka kufizime të ashpra për përfitimin e azilit.
Megjithatë, një vendim i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, në fillim të këtij muaji, mund të çojë në ndryshim të planeve, thonë ekspertët, pasi kufizon përcaktimin se ‘cili mund të kosniderohet vend i sigurtë jashtë Bashkimit Europian”.
Duke u shprehur me vendim për një rast tjetër që përfshinte Republikën Çeke, Gjykata tha se një vend jashtë bllokur europian mund të deklarohet i sigurtë vetëm nëse nuk ka rrezik në të gjithë territorin.
“Gjykata po u thotë qeverive se ato mund të bëjnë listat e tyre të vendeve të sigurta, por ata e kanë gabim nëse përfshijnë kombe që kanë zona të pasigurta”, tha Matteo Villa, një studiues i lartë në grupin e ekspertëve të Institutit për Studime Politike Ndërkombëtare me bazë në Itali. “Nëse vendimi do të zbatohej në këtë rast, vështirë se dikush mund të dërgohej (në Shqipëri)”, tha ai.
Ministria e Brendshme italiane nuk pranoi të komentonte vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë.