Italia i bashkohet projektit për Qendrën e Shërbimeve Publike

 

Ngritja e Qendrës së Integruar të Shërbimeve Publike, një projekt i qeverisë shqiptare, që po zbatohet nën drejtimin e Ministres së Inovacionin, Milena Harito duket se ka tërhequr vëmendjen e një tjetër partneri të rëndësishëm.

Qeveria Italiane ka vendosur t'i bashkohet PNUD-it në mbështetjen e këtij projekti nëpërmjet një financimi në vlerën e 265 mijë eurove.  PNUD e ka mbështetur këtë projekt që në fazat fillestare, duke akorduar një financim prej 140 mijë eurosh të tjera.

Marrëveshja për këtë bashkëfinancim është nënshkruar sot paradite në mjediset e Godinës së Inovacionit nga Përfaqësuesja e PNUD Zineb Touimi-Benjelloun dhe ambasadori i Italisë në vendin tonë, Massimo Gaiani.

Ministrja Harito duke marrë fjalën në këtë ceremoni ka rikonfirmuar vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të luftuar pa asnjë kompromis korrupsionin në lëvrimin e shërbimeve publike duke ndryshuar ndër të tjera në mënyrë thelbësore mënyrën se si shteti orjenton shërbimin drejt qytetarit.

Projekti mbështet përpjekjet e qeverisë shqiptare në fushën e reformës në administratën publike, përmes së cilës qeveria po pregatit ndryshimin rrënjësor të mënyrës së ofrimit të shërbimeve publike.

Në fazën e parë të projektit është bërë një inventar i detajuar i të gjitha shërbimeve që ofron shteti shqiptar për qytetarët. Më pas të gjitha këto shërbime do të ofrohen në mënyrë të integruar në një godinë të vetme. Burime nga MIAP thanë se në rastet kur sportelet e shërbimeve nuk është e mundur të spostohen nga institucionet ku janë vendosur, atëherë ato gjithësesi do të vihen në varësi të Qendrës për Shërbimet Publike.

SHKARKO APP