Italia në kërkim të anijes që do sjellë emigrantët në Shëngjin. Qiraja për në 3 muaj shkon 13.5 mln euro
Sipas mediave italiane qeverisë së Melonit do t’i kushtojë një “maksimum” deri në 13.5 milionë euro marrja me qira e një anije për 90 ditë, në mënyrë që të garantohet transportimi i emigrantëve drejt portit të Shëngjinit në Shqipëri.
Koha e lundrimit në dokumentin e Ministrisë së Brendshme llogaritet të jetë rreth 50 orë, nga pika e marrjes deri në destinacion për. Kohëzgjatja e çdo operacioni mund të jetë nga 5 deri në 6 ditë, duke përfshirë këtu edhe “transportimin e emigrantëve, aktivitetin e qendrës, transportin për në Shqipëri, aktivitetet e zbarkimit dhe kthimin në zonën e operacionit”.
“Shërbimi i menaxhimit të anijes do të jetë përgjegjësi e operatorit me të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë”, saktësohet në draftin italian. Për më tepër, ekzekutimi i shërbimit përfshin furnizimin e mallrave dhe produkteve ushqimore, si dhe përgatitjen e ushqimeve të larmishme në lidhje me porositë fetare apo ndonjë problem shëndetësor.
Nëse tejkalohet mesatarja prej 300 individë për ditët e kohëzgjatjes së kontratës, do të njihet një “kosto shtesë për frymë prej 40 euro/ditë për numrin e pasagjerëve të tepërt”.
Në kapitullin e fundit të dokumentit thuhet se nëse distanca e lundrimit për kohëzgjatjen e kontratës do të jetë më e vogël se 6 mijë milje detare, kostoja e qirasë për anijen do të ulet me 15%.