Italia postobllok me Shqipërinë, Guardia Di Finanza do monitorojë me helikopter
Trafiqet e paligjshme nëpërmjet detit Adriatik dhe Jon kanë bërë që policia italiane në bashkëpunim me blutë në Shqipëri të krijojnë një shërbim të mbikqyrjes detare që përfshin dy vendet. Kjo do të mundësohet në kuadër të një marrëveshjeje të përbashkët të nënshkruar mes policisë shqiptare dhe homologëve që synon të parandalojë trafiqet.
Krijimi i shërbimit të mbikqyrjes detare ka si qëllim parandalimin e trafikut të drogës dhe të emigrantëve të parregullt. Homologët e shikojnë me shqetësim trafikun e lëndëve narkotike, duke qenë se dhe gjatë 2020 u sekuestruan dhe asgjësuan 40 mijë bimë më shumë se në 2019. Gjatë vitit të shkuar policia shqiptare evidentoi më shumë se 131 mijë bimë, krahasuar me 88 mijë rrënjë të evidentuara vitin paraardhës.
Sipas protokollit të nënshkruar nga policia shqiptare dhe ajo fqinje, për herë të parë krahas monitorimit me avionë, do të ketë dhe monitorim me dron inteligjentë nga policia italiane.
Një tjetër problematikë që synohet të parandalohet nga ky shërbim mbikqyrës është dhe trafiku i klandestinëve, kryesisht të ardhur nga vendet e lindjes. Kjo duke marrë shkas nga rasti i fundit, ku në Vlorë u shpëtuan në mes të detit 50 emigrantë. Gomonia me të cilën ata do të largoheshin drejt Italisë e për të kaluar më pas drejt vendeve të tjera të BE-së kishte pësuar defekt teknik.