Iu është shtyrë aprovimi për përfshirjen në listën e kandidatëve të PD për zgjedhjet e 25 prillit, flasin demokratët
Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve për deputetë në Partinë Demokratike shtyu aprovimin për të përfshirë në listë, 13 ish-deputetë dhe anëtarë të kryesisë së partisë. Ata janë Andon Frrokaj, Arben Kashahu, Endri Hasa, Ervin Salianji, Fatbardha Kadiu, Izmira Ulqinaku, Lindita Metaliaj, Lorenc Luka, Luan Baci, Nadire Meçorapaj, Romeo Gurakuqi, Tritan Shehu dhe Xhemal Gjunkshi, me të cilët sipas burimeve në Partinë Demokratike, mësojmë se Kryetari Basha, ka zhvilluar takime me secilin prej tyre.
Disa prej ish-deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë komentuan procesin e përzgjedhjes së kandidatëve. Ervin Salianji me anë të njëstatusi në facebook, shkruan se në asnjë moment nuk ka përfituar apo të jetë konsumuar nga pushteti. Sipas tij, ai është i vlerësuar nga votuesit, dhe këtë e ka treguar edhe rezultati që Partia Demokratike ka marrë në qarkun e Korcës, ne zgjedhjet e vitit 2017.
“Unë nuk kam përfituar dhe as jam konsumuar në pushtet. Kam sakrifikuar e investuar fort në betejën opozitare. Falë kësaj beteje mbështetja masive e demokratëve nuk më ka munguar në asnjë hap të rrugëtimit politik. Në zgjedhjet e fundit me mirënjohje pohoj se isha më i vlerësuari nga anëtarësia e Partisë Demokratike. Po aq me mirënjohje përmend rezultatin më të mirë që ka marrë PD në zgjedhjet e fundit parlamentare në qarkun ku garova falë mbështetjes tuaj dhe të qytetarëve. Për këtë misioni im është një dhe i vetëm, demokratët të jenë fitues”- shkruan Salianji.
Ish-deputeti Tritan Shehu tha për News24 se vendimin nëse ai do të kandidojë nën logon e PD-së në zgjedhjet e ardhshme, e kanë në dorë institucionet e kësaj partie, Kryetari, apo Kryesia e Këshillit Kombëtar.
“Vendimin për të kandiduar për deputet mbas votimit të anëtarësisë së PD e kanë tagër vetëm institucionet e saj, Kryetari, Kryesia e Keshilli Kombëtar, askush tjetër.
Vlerësimi i vërtetë për mua ishte ai votim, që bëri së fundmi anëtarësia e PD-së së Gjirokastrës, e cila ashtu siç më ka mbështetur në këto vite, më mbështeti përsëri me votën e saj të qartë. Ky vlerësim është thelbësor jo vetëm për mua, por dhe për PD, veçanërisht kur vjen nga ata njerëz të tillë të mençur, që ashtu siç dinë të të “hapin derën”, dinë edhe të ta “mbyllin atë”, siç edhe ka ndodhur”.- thotë Shehu.
Edhe ish-deputeti Luan Baçi, shprehet se kontratën e ka me Partinë Demokratike, dhe se është më i vlerësuari në votmin më të fundit të anëtarësisë së PD në Fier.
“Unë e kam kontratën me Partinë Demokratike, me strukturat e degës dhe gjithë anëtarësinë e saj që më ka votuar. Ne votimin e fundit te listes se kandidateve per deputet jam zgjedhur në mënyrë plebishitare dy herë për kryetar dege dhe jam me i vleresuari, me pothuajse fare kontestim. E respektoj komisionin ne punen e tij”, thekson Baçi.
Ish-deputetja e Shkodrës, Izmira Ulqianku shprehet se lista e përzgjedhur nga komisioni i vlerësimit të kandidatëve, është vetëm një opinion, që i është dorëzuar PD-së, ndërsa pret që vendimarrja për të, të vijë nga strukturat më të larta të partisë.
“Ky është një opinion i anëtarëve të komisionit të vlersimit, vendimarrjen e pres prej Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar. Sa i përket votimit të anëtarësisë, kam qënë ndër emrat që ka marrë më pak vota kontestuese, dhe falenderoj demokratët e Shkodrës për mbështetjen” ,- shprehet Ulqinaku.
Ndërsa ish-deputetja tjetër, Fatbardha Kadiu shprehet se tashmë puna e komisionit ka përfunudar, dhe përzgjedhja e kandidatëve do të vazhdojë në faza të tjera.
“Komisioni i Vlerësimit kreu detyrën, mbaroi punën e tij, dhe tashmë përzgjedhja e kandidatëve vazhdon në fazat e tjera. Kontrata ime është e lidhur me Partinë Demokratike, me demokratët, dhe ajo çfarë është e rëndësishme është që PD nesër duhet të drejtojë vendin”.- thotë ajo.
Sipas deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, këta 13 ish-deputetë dhë anëtarë të Kryesisë, u është shtyrë aprovimi, cka do të thotë se vendimarrja e fundit i takon Kryetarit të Partisë Demokratike, Kryesisë, dhe Këshillit Kombëtar.
Këtë e fakton edhe udhëzimi i dalë nga PD, për përzgjedhjen e kandidatëve, ku në pikën 32 thuhet se, “Kryesia e Partisë përzgjedh kandidatët zyrtar të Partisë në zgjedhje, nga lista e kandidatëve të konfirmuar nga anëtarësia. Pra, anëtarësia e Partisë Demokratike në fazën e dytë të saj, konfirmoi një numër prej 498 deputetësh, ku në këtë listë janë edhe 13 emrat të cilët, nuk u kualifikuan në fazen finale, nga komisioni i vlerësimit.
Emrat e tjerë qe nuk u kualifikuan për në fazën finale, të kontaktuar nga News24, preferuan të respektonin Kodin e Heshtjes sipas rregullave që parashikon Partia Demokratike, dhe thanë së janë në pritje tashmë të vlerësimit që do u japë Kryesia e Partisë Demokratike dhe Këshilli Kombëtar.