Iu fal dënimi përjetë për 3 vrasje/ Zbardhet vendimi i Gjykatës për Viktor Ymerin, si ndryshoi qëndrim prokurori

Fax News ka siguruar vendimin e Gjykatës së Elbasanit, për lirimin nga burgu të Viktor Ymerit, daja i Edison Arizajt, një person me precedent penal i cili u ekzekutua rreth një vit më parë në Durrës.

Gjithë diskutimi për lirimin e Ymerit bëhet për një muaj e disa ditë burg, të cilat i dënuari i ka përfituar pasi i janë llogaritur ditët e punës në burg.

Me vendimin e Gjykatës për lirimin e Ymerit ka qenë dakord dhe prokurori Mustafa Turku, por i vënë nën një presion të jashtëzakonshëm mediatik, ai u detyrua që të ndryshonte disa ditë më pas vendimin.

Viktor Ymeri, i dënuar për tre vrasje, dy në Durrës dhe një në Itali, u dënua me 25 vite burg, ndërsa ka qenë Gjykata e Apelit në Durrës, ajo që rrëzoi dënimin me burg përjetë të Viktor Ymerit, i cili vrau Arben Pajën dhe Ilir Xhungën në vitin 1999 në Durrës.

Ndërkohë një dënim tjetër ka mbërritur nga gjykata e Romës në Shqipëri dhe është njohur nga gjykata e Elbasanit, ku Viktor Ymeri (Imeraj) është dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Gëzim Muçës dhe plagosjen e Taulant Maskës, ngjarje kjo e ndodhur në Romë Itali në vitin 1996. Mirëpo me një kërkesë për bashkim dënimesh gjykata e Apelit Durrës, ka pranuar bashkimin e dy dënimeve në një të vetëm duke e dënuar Viktor Ymerin përfundimisht me 25 vite burgim.

Në vendimin e gjykatës për lirimin e Ymerit nga qelia thuhet se:“…në 27 nëntor 2019 gjykata e Elbasanit, ka vendosur pranimin e kërkesës së bërë nga Viktor Ymeri për njohjen e ditëve të punës brenda në burg, konveruar këto në 5 muaj e 16 ditë burgim…”.

Më tej gjykatësja Enkeleda Kapedani argumenton në vendimin e saj se me këtë vendim ka qënë dakort dhe prokurori i seancës, ku është shprehur se Viktor Ymerit i takonin ditës e punës të kryera brenda në burg.

Por çuditërisht pavarësisht këtij qëndrimi, prokurori i çështjes për shkaqe ende të paqarta thotë gjykata, ka paraqitur ankim kundër këtij vendimi, duke refuzuar që të bëjë ekzekutimin e vendimin për njohjen e ditëve të punës në burg që kishte kryer Ymeri.

Në rastin konkret, vijon argumentin gjykata,“…vendimi gjyqësor që i ka njohur të dënuarit ditët e punës duke e konvertuar në burg e si rrjedhim në ulje dënimi, është vendim që lidhet drejtpërdrejtë me lirinë personale dhe është menjëherë i ezkekutueshëm…”.

Nëse do të ishte ekzekutuar nga prokurori ky vendim gjykate, për të cilin ka qenë dakort dhe vetë përfaqësuesi i akuzës, atëherë sipas gjykatës Viktor Ymeri duhet të ishte liruar plotësisht në datën 4 shtator 2019. Më tej gjykata e Elbasanit, thotë se:“…Burgu i Peqinit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Prokuroria e Elbasanit janë institucionet përgjegjëse, të cilat duhet të përgjigjen para ligjit se përse në me këtë të dënuar,nuk është ndjekur praktika si me të dënuarit e tjerë, duke i trajtuar rastet në mënyrë thelbësisht të diferencuar, pasi ky i dënuar është mbajtur në burgim pa vendim gjykate’’.

Mirëpo pavarësisht se Viktor Ymerit i janë njohur ditët e punës në burg, ai nuk është liruar pasi prokurori ka vendosur apelimin e këtij vendimi, në kundërshtim me qëndrimin që ai kishte mbajtur në gjykatë, ku ishte dakord.

Me një kërkesë të dytë, Viktor Ymeri, i është drejtuar sërish gjykatës së Elbasanit në datë 18 dhjetor 2019, duke kërkuar shuarjen e masës së dënimit.

Nga verifikimi i kërkesës, rezultoi se Viktor Ymerit i kishte mbetur për të vuajtur dënimin 2 muaj e 2 ditë burg, ndërsa deri në datën e dhënies së vendimit në 27 dhjetor 2019, Viktor Ymerit, i kishte mbetur për të vuajtur dënimin edhe 1 muaj e 23 ditë burgim. Kjo periudhë burgu është shuar nga gjykata.

/Fax News

SHKARKO APP