Iu shmang drejtësisë pasi u prek nga dekriminalizimi, Agim Kajmaku rimerr pushtetin në bashkinë e Vorës
Agim Kajmaku rifiton pushtetin në Vorë. Edhe pse u shkarkua nga dekriminalizimi dhe ju shmang drejtësisë, kompromiset politike dhe llogaritë paraelektorale, kanë bërë që ai ka marrë nën kontroll bashkinë. Kështu, këshilli bashkiak ka caktuar kryetar në detyrë Gentian Picarin, i cili është njeriu besnik i Kajmakut.
Një kryetar i ri bashki do të ishte një ngjarje me zë në kohë normale, por nuk është kështu për Vorën që ka ndërruar tashmë 5 herë kryebashkiakët. Falë facebook-ut të Elisa Spiropalit, u mësua se gjakrat janë sheshuar e kompromisi ka lulëzuar në këtë bashki.
Por pse përfundoi Vora në këtë gjendje? Agim Kajmaku u shkarkua nga KQZ në 1 nëntor 2019. Menjëherë lindi pyetja se kush do ta drejtonte bashkinë.
Pyetje e cila nxori në sipërfaqe konflikti i Kajmakut me Belinda Ballukun, të dërguarën e Ramës në Vorë.
Të dy nisën luftën e brrylave për të mbajtur nën kontroll bashkinë. Para se të largohej nga zyra, Kajmaku shkarkoi dy nënkryetarët që mbështesnin Ballukun, dhe emëroi vetëm një nënkryetar: krahun e tij të djathtë, Gentian Picari.
Në këtë mënyrë, këshilli bashkiak nuk pati rrugë tjetër, të vetmin nënkryetar, pra njeriun e Kajmakut e komandoi kryetar bashkie. Pas kësaj, nënkryetarët e shkarkuar, të afërt me Ballukun e dërguan cështjen në prokurori. Gjykata kërkoi burgosjen e ish kryebashkiakut, por ai qëndroi në arrati gati 8 muaj.
Kajmaku u paraqit më pas në një spital me probleme shëndetësore, e për këtë gjykata ndërroi masë, duke e lënë në arrest shtëpie.
Pasi i shpëtoi burgut, Kajmaku, bashkë me shëndetin, rikuperoi edhe pozitat e tij politike. Shenjat e para të epërsisë së tij u dukën kur Rama e largoi nga Vora Belinda Ballukun e cila ishte në konflikt me ish-kryebashkiakun, dhe ministres i caktoi Kombinatin si zonë elektorale.
Rivendosja Picarit në krye të Bashkisë ishte shpagimi i Partisë Socialiste ndaj Kajmakut dhe rivendosja e qetësisë para zgjedhjeve në këtë zonë të marrë nën patronazh nga Elisa Spiropali. Nga 30 qershori 2019 e deri më tani, Vora ka ndërruar 4 kryebashkiakë. I pari ishte Agim Kajmaku. Ai e humbi mandatin prej dekriminalizimit sepse kishte fshehur disa probleme me drejtësinë greke. Më pas u komandua i besuari i tij Gent Picari, por gjykata e shpalli të parregullt këtë proces. Hekuran Brahimaj ishte i komanduari i radhës prej këshillit bashkiak, por as ai nuk rezistoi gjatë. Një këshilltar bashkiak e biznesmen i zonës mori detyrën e kryetarit. Por Shefki Karamuca u përfshi në akuza për ndërtim të paligjshëm e favorizime korruptive, ndaj u dorëhoq. I komanduari i fundit, është sërish Picari.
LËVIZJET NË BASHKINË VORË
30 qershor 2019 A. Kajmaku zgjidhet kryetar bashkie
1 nëntor 2019 KQZ shkarkon A. Kajmakun
17 nëntor 2019 G. Picari komandohet kryetar
7 shkurt 2020 H. Brahimaj komandohet kryetar
25 gusht 2020 Sh. Karamuca merr kontrollin e bashkisë
Burimi: Abc News, Esiona Konomi