Izolim i ri në Europë, rriten me shpejtësi rastet e reja të infektimit
Kufizimet e pjesshme që autoritetet po vendosin në disa vende europiane nuk po e frenojnë dot përhapjen e shpejtë të COVID-19. Nga Londra në Varshavë, Europa është e gjitha e ngjyrosur me të kuqe për shkak të numrit të lartë të infektimeve. Sipas OBSH-së, në mbarë botën, vetëm brenda një dite u regjistruan 400 000 raste të reja me COVID-19.
Ndalimi i shoqërimit në Londër, shtetrrethim në Francë, mbyllje e shkollave në Poloni, këto janë një sërë masash kufizuese të ashpra që hynë nga e shtuna në disa vende europiane me shpresën për të frenuar valën e dytë të pandemisë së COVID-19.
Në Londër, është e ndaluar duke nisur nga e shtuna të shoqërohesh në mjedise të brendshme me persona jashtë familjes. Mbi 15 000 raste janë regjistruar të premten në Britaninë e Madhe, një prej vendeve më të prekura në Europë nga COVID-19 me 43 400 të vdekur.
Në Francë, banorët e dhjetëra qyteteve të mëdha, përfshirë Parisin dhe rajonet e tij, kanë përjetuar të premten në mbrëmje orët e fundit të lirisë para vendosjes së shtetrrethimi të shtunën nga ora 21:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit.
Kjo masë që do të mbetet në fuqi për të paktën katër javë u mor ndërkohë që qarkullimi i virusit në vend u shtua me 25 000 raste pozitive me COVID-19 të regjistruara në 24 orë.
Kufizime të reja hynë gjithashtu në fuqi në Varshavë dhe qytete të tjera të mëdha të Polonisë, të konsideruara si zona të kuqe. Kolegjet dhe licetë do të mbyllen dhe do të praktikojnë mësimin në distancë.
Restorantet do të mbyllen duke filluar nga ora 21:00, ceremonitë e martesave janë të ndaluara dhe numri i personave të pranuar në dyqane, në transportin publik dhe në vendet fetare do të jetë i kufizuar.
Në botë të gjithë treguesit janë në të kuqe, me më shumë se 1.1 milion të vdekur të regjistruar, sipas të dhënave zyrtare. Dhe në një ditë të vetme, shifra e infektimeve të reja nga COVID-19 arriti në 400 000 raste të reja.
Rreth 38.99 milionë raste janë regjistruar zyrtarisht, prej të cilëve 26,6 milionë të shëruar.
Italia regjistroi të premte 10 010 raste të reja me COVID-19, shifra më e lartë e arritur ndonjëherë në 24 orë.
Në Belgjikë, shtetrrethimi u vendos në mesnatë deri në orën 05:00 dhe të gjitha kafenetë dhe restorantet e vendit do të mbyllen të hënën për të paktën një muaj.