Izolohen 4 punonjës të spitalit të Durrësit dhe 2 të ardhur nga Italia
Një 75-vjeçare e cila gjendet prej 6 ditësh në Spitalin e Durrësit dhe që rezultoi pozitive për koronavirus, ka ngjallur alarm tek pacientët dhe stafi mjekësor. Dyshohet se pacientja mund të ketë infektuar persona të tjerë pasi ajo ishte mbajtur prej ditësh në repartin e patologjisë së spitalit pa e ditur që sapo ishte kthyer nga Italia.
Ditën e sotme është transportuar në reanimacion pasi ka shfaqur komplikacione. Nga ana tjetër mësohet se 4 pjesëtarë të stafit mjekësor që kanë pasur kontakt me të janë vetëizoluar dhe pritet të dalin rezultatet e analizave të tyre. Në repartin e infektivit të Durrësit janë izoluar gjithashtu një burrë dhe një grua të moshës 65-vjeç pasi kanë shfaqur simptoma të ngjashme me ato të koronavirusit. Ata janë kthyer para disa ditësh nga Italia ku kishin vizituar të afërmit e tyre. Atyre iu janë vendosur tamponët dhe pritet gjithashtu të dalin rezultatet e analizave.