Izraeli dhe Gjermania drejt partneritetit strategjik

Në vizitën e tij parë zyrtare në Berlin, kryeministri izraelit, Yair Lapid, bisedoi me homologun gjerman, Olaf Scholz, për detajet e fundit për marrëveshjen e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Gjermania do të bashkëpunojë në të ardhmen më shumë me Izraelin. Këtë e konfirmuan të hënën në Berlin kancelari gjerman Olaf Scholz dhe homologu i tij izraelit Jair Lapid. Lapid, i cili bëri kështu vizitën e tij të parë zyrtare në Berlin, tha se u bisedua për disa detaje të fundit të marrëveshjes së partneritetit strategjik. tha se bashkëpunimi do të sjellë përparësi ekonomike, por edhe në fushën e sigurisë. Lapid kujtoi se javën e kaluar kishte pasur një takim të përfaqësuesve të sigurisë së të dy vendeve në Jerusalem. Të dielën, Gjermania dhe Izraeli nënshkruan edhe një memorandum mirëkuptimi për krijimin e një Shoqate të përbashkët gjermano-izraelite për të rinj.

Bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe ushtri

Një nga fushat do të jetë bashkëpunimi ushtarak: “Izraeli do të luajë një rol për rindërtimin e forcave të armatosura gjermane, sidomos në sektorin e mbrojtjes nga ajri, tha Lapid. Scholz theksoi se agresioni rus ndaj Ukrainës solli një kthesë epokale për politikat e mbrojtjes së Gjermanisë.

“Për këtë ne duam të bashkëpunojmë me Izraelin në sektorin e mbrojtjes ajrore, ku Izraeli me sistemin Arrow 3 ka një ofertë shumë efektive”, tha Scholz.

Izraeli zëvendëson një pjesë të gazit rus

Izraeli do të japë kontribut edhe për të lehtësuar krizën energjetike të Europës, duke zëvendësuar dhjetë për qind të gazit që vjen nga Rusia. Lapid tha se shpreson t’i rrisë qysh vitin e ardhshëm eksportet e gazit në Europë.

Në qershor të këtij viti Izraeli dhe Egjipti nënshkruan në Kajro, në prani të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, një memorandum mirëkuptimi për dërgimin e gazit të lëngëzuar në Evropë. Marrëveshja parashikonte që Izraeli të dërgonte gaz në Egjipt, ku gazi do të lëngëzohet dhe më pas do të eksportohet me anije në Evropë.

Informacione të ndjeshme për Iranin

Lapid u shpreh edhe për një strategji alternative për ndalimin e armatimit bërthamor të Iranit. “Ka ardhur koha që t’i lëmë pas negociatat e dështuara me Iranin”, tha ai duke shtuar se i ka dhënë Scholzit “informacione të rëndësishme dhe të ndjeshme për këtë temë”.

Kryeministri Jair Lapid e lavdëroi reagimin e kancelarit Scholz pas deklaratave që kishte dhënë një muaj më parë në Berlin presidenti i zonave autonome palestineze, Mahmoud Abbas për Holokaustin. “U duk hapur që Scholz u befasua nga kjo deklaratë”, tha Lapid. “E falënderova kancelarin që ai reagoi ndaj asaj që tha Abbasi.”

“Relativizimi i Holokaustit është i papranueshëm”

Abbas e akuzoi Izraelin në një konferencë shtypit të përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz, se po ushtron një Holokaust të shumëfishtë ndaj palestinezëve. Deklarata shkaktoi indinjatë të thellë në opinionin gjerman. Ai kishte thënë se Izraeli që nga viti 1947 e deri në ditën e sotme kishte bërë 50 masakra në 50 vende palestineze. “50 masakra, 50 Holokauste”, tha Abbas në konferencën e shtypit të atëhershme në Berlin. Kancelari gjerman nuk reagoi, por u distancua më vonë qartazi. Shumë kritikë e quajtën të vonuar këtë reagim të Scholzit.

Scholz tha në konferencën e të hënës se : “Është shumë e qartë, se ne i kërkojmë palestinezëve që të hapin rrugën për një zhvillim demokratik dhe një zhvillim të mirë, që na çon drejt zgjidhjes së dy shteteve. Prandaj është me thelbësore që deklarata të tilla të mos përsëriten “. Scholz tha më tej se çdo relatvizim i Holokaustit është i papranueshëm dhe është një krim kundër viktimave të Shoas, që kanë përjetuar kaq shumë vuajtje.

Deklaratat e Abbasit konsiderohen si shkarja më e rëndë verbale që ka ndodhur ndonjëherë në Kancelarinë e Gjermanisë.DW

SHKARKO APP