Izraeli e shpall shefin e OKB-së person të padëshirueshëm
Ministri i Jashtëm i Izraelit tha se ia ka ndaluar sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, hyrjen në vendin e tij, sepse, siç tha, ai nuk e ka dënuar sulmin raketor të Iranit kundër Izraelit.
Irani hodhi të martën më shumë se 180 raketa balistike drejt Izraelit, në përgjigje të, siç tha, agresionit të tij në Liban dhe në Gazë.
Guterres lëshoi po atë ditë një deklaratë të shkurtër, duke iu referuar vetëm “sulmeve të fundit në Lindjen e Mesme” dhe duke dënuar “përshkallëzimin e vazhdueshëm të konfliktit”.
Më herët të martën, Izraeli dërgoi trupa në Libanin jugor.
Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, tha se fakti që Guterres nuk e përmendi Iranin, e bën atë person të padëshirueshëm në Izrael.
“Kushdo që nuk mund ta dënojë qartazi sulmin e urryer të Iranit kundër Izraelit, siç bënë pothuajse të gjitha vendet e botës, nuk e meriton të shkelë në tokën izraelite”, tha Katz.
“Izraeli do të vazhdojë t’i mbrojë qytetarët e tij dhe ta ruajë dinjitetin e tij kombëtar, me ose pa Antonio Guterresin”, shtoi ai.
Sistemi i mbrojtjes ajrore i Izraelit ndalon raketa të lëshuara nga Irani më 1 tetor 2024.
Shumica e raketave të Iranit u kapën në ajër, por disa depërtuan përmes mbrojtjes raketore. Megjithatë, nuk u raportua për viktima.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Irani bëri “gabim të madh” me sulmin raketor kundër Izraelit dhe u zotua se do të hakmerret